Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot një “angazhim paraprak për pauza humanitare specifike për zona të caktuara” gjatë një fushate vaksinimi ndaj poliomielitit që do të fillojë më 1 shtator në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Tani është kritike që ne të arrijmë mbulimin e vaksinimit në 90 për qind”, tha Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për Territorin e Pushtuar Palestinez, duke shtuar se fushata do të zhvillohet në dy raunde.
Duke folur në një konferencë virtuale për shtyp nga Gaza, Peeperkorn theksoi rëndësinë e arritjes së mbulimit 90 për qind për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të epidemisë. Ai përshëndeti “angazhimin paraprak për pauza humanitare specifike për zona të caktuara gjatë fushatës”.
Ai u kërkoi të gjitha palëve që të lejojnë fëmijët dhe familjet të kenë akses të sigurt në objektet shëndetësore dhe punonjësit e komunitetit në terren gjatë pauzës, duke siguruar që fëmijët që nuk mund të kenë akses në objektet shëndetësore mund të marrin ende vaksinën e poliomielitit.
Sipas Peeperkorn, pauza humanitare e rënë dakord me njësinë humanitare të ushtrisë izraelite (COGAT) përfshin një pauzë treditore në zonën qendrore të Gazës, e ndjekur nga një pauzë treditore në zonën jugore dhe më pas një pauzë tjetër treditore në zonën veriore.