Kombet e Bashkuara (OKB) paralajmëruan se 48 milionë njerëz në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore do të përballen me pasigurinë akute ushqimore në muajt e ardhshëm, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga organizatat e ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara thuhet se çmimet e ushqimeve janë rritur në nivelin më të lartë të 10 viteve të fundit për shkak të problemeve të sigurisë, temperaturave të larta, reshjeve të parregullta dhe pandemisë së COVID-19.
Në deklaratë theksohet se në muajt e ardhshëm 48 milionë njerëz në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore janë në prag të urisë.
“Sipas analizës për sigurinë ushqimore të paraqitur nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), parashikohet se në periudhën qershor-gusht do të arrijë në 48 milionë numri i personave që nuk kanë qasje të rregullt në ushqim të sigurt dhe ushqyes”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se lufta në Ukrainë ka shkaktuar mangësi për ushqim dhe pleh në rajonet e varfra të botës.
45 mijë persona përballë me fatkeqësinë e urisë
Problemet e sigurisë në vendet si Mali dhe Burkina Faso kanë ndikim shumë serioz kryesisht për rajonin gjysmë të thatë të Sahelit, thuhet në deklaratën ku paralajmërohet se kjo situatë në një kohë të shpejtë do të shkaktojë zhvendosjen e 2,5 milionë njerëzve dhe vdekjen e mijëra të tjerëve.
Organizatat e ndihmës të OKB-së, kanë vënë në dukje se në të ardhmen e afërt parashikohet që 45.000 njerëz në rajonin e Sahelit do të përballen me katastrofën e urisë në nivelin e mungesës.
Mungesa ushqimore e parashikuar thuhet se nënkupton që këtë vit rreth 16,5 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeç do të përballen me ushqyerje të pamjaftueshme akute.
Janë bllokuar rrugët e furnizimit
Alexandre Le Cuziat, këshilltari për ndërhyrje dhe përgatitje për situatë emergjente i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), në konferencën e përbashkët që mbajti në Dakar me organizatat e tjera të ndihmës, tha se për shkak të problemit të sigurisë rrugët furnizuese të disa rajoneve janë bllokuar plotësisht.
Le Cuziat theksoi se janë marrë me qira helikopterë për dërgimin e ndihmës në rajonet e nevojshme dhe se kjo pakëson fondet aktuale.
Ndërsa Koordinatori nën-rajonal për Afrikën Perëndimor i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Robert Guei, vuri në dukje rritjen e prodhimit bujqësor në rajon për zgjidhjen e problemit të ushqimit.