RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Italia nuk duhet të lihet e vetme në fluksin e emigracionit të Mesdheut

okb:-italia-nuk-duhet-te-lihet-e-vetme-ne-fluksin-e-emigracionit-te-mesdheut

Sipas një zëdhënësi të Agjencisë së Refugjatëve të OKB-së (UNHCR), Italia nuk duhet të lihet e vetme në trajtimin e fluksit të emigracionit në Mesdhe.

Duke përsëritur se UNHCR-ja përshëndeti vendimin e fundit të qeverisë italiane për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për këtë çështje, zëdhënësi i UNHCR-së, Matthew Saltmarsh, në një konferencë për media tha se agjencia shumë herë ka deklaruar qëndrimin e saj për emigrimin përmes kalimeve detare.

“Ne e mirëpresim vendimin që do të ndajë fonde shtesë që do të përmirësojnë kapacitetin e pranimit dhe standardet për numrin në rritje të refugjatëve dhe emigrantëve që kemi parë në të gjithë Mesdheun”, tha Saltmarsh në përgjigje të pyetjes nga Anadolu.

“Sigurisht, Italia kohëve të fundit ka parë një rritje të madhe të mbërritjeve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shifrat janë rritur rreth 300 për qind për momentin. Kështu që, unë mendoj se është e rëndësishme të ritheksohet se Italia nuk duhet të lihet e vetme”, tha Saltmarsh.

Ai shtoi se UNHCR-ja gjithashtu vazhdimisht ka kërkuar krijimin e një sistemi të ri rajonal të zbarkimit dhe ri-shpërndarjes për individët që mbërrijnë nga deti.

Sipas tij, ky mekanizëm duhet të krijohet në frymën e ndarjes së përgjegjësive dhe solidaritetit me shtetet e vijës së parë.

Më tej, ai tha se shpëtimi i jetëve në det është një traditë e gjatë detare, por edhe një detyrë ligjore e shteteve. Ai shtoi se “numri i mbytjeve tragjike” tregon “boshllëqet serioze” në kapacitetin e shpëtimit që ekziston momentalisht në Mesdhe.

“Ky kapacitet duhet urgjentisht të forcohet dhe ne kemi mbrojtur prej kohësh krijimin e një SAR-i (kërkim dhe shpëtim) të fuqishëm dhe të parashikueshëm”, theksoi ai.

Të martën, Italia shpalli gjendje të jashtëzakonshme 6-mujore për të përballuar një rritje të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në vend përmes Detit Mesdhe.

Me gjendjen e jashtëzakonshme mund të zbatohen procedura dhe veprime të shpejta për të ofruar zgjidhje për pranimin e emigrantëve me standarde adekuate në një kohë të shkurtër.

Në javët e fundit, Italia ka parë një rritje të konsiderueshme të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë në brigjet e saj jugore nga Afrika e Veriut, me mbi 3 mijë mbërritje vetëm në tre ditët e fundit.

Related posts

Shkon mbi 5000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri

admin

Li pranon ngadalësimin ekonomik të Kinës

admin

Bislimi për dinarin: Serbia synon të krijojë tension artificial

admin