OKB-ja tha të enjten se është “thellësisht e shqetësuar” pasi palë të paidentifikuara sekuestruan tetë automjete humanitare nga qendra e saj operative në qytetin port të Mokhas në Jemen, në mes të përshkallëzimit të luftimeve, raporton Anadolu.
“Bashkëpunëtorët tanë atje konfirmuan se tetë automjete të OKB-së janë sekuestruar nga qendra jonë humanitare në Mokha këtë mëngjes, në mes të zhvillimeve të fundit në qytet”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Haq theksoi se Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) i sheh zhvillimet me shqetësim të madh, duke nënvizuar se “gjëja e fundit që i duhet popullit të Jemenit është më shumë luftime dhe më shumë zhvendosje”.
Haq paralajmëroi se sekuestrimi i automjeteve kufizon rëndë operacionet për shpëtimin e jetëve dhe pengon agjencitë humanitare që përpiqen të ofrojnë ndihmë për popullatat e cenueshme.
Pavarësisht pengesave për qasje, ekipet e reagimit emergjent kanë arritur te më shumë se 2.700 familje, megjithëse Haq theksoi se sigurimi i fondeve shtesë ndërkombëtare mbetet thelbësor për të ndihmuar komunitetet e tjera.
Ai përsëriti thirrjet drejtuar të gjitha palëve që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke kërkuar që të mbrojnë civilët dhe t’u mundësojnë atyre të arrijnë në zona më të sigurta, si dhe të lejojnë kalimin e papenguar të autokolonave me ndihma.

