RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Mbi 300 mijë persona u larguan nga Sudani për shkak të përleshjeve

okb:-mbi-300-mije-persona-u-larguan-nga-sudani-per-shkak-te-perleshjeve

Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi, tha se mbi 300 mijë persona u larguan nga Sudani duke u strehuar në vendet fqinje për shkak të përleshjeve, transmeton Anadolu.

“Mbi 300 mijë persona kaluan në vendet fqinje nga Sudani. Shumica prej tyre në disa ditë të fundit kaluan kufirin e Çadit dhe Egjiptit”, tha Grandi nga Twitter.

Sipas tij, kontributi i donatorëve në planin e reagimit ndaj refugjatëve në Sudan vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. “Ne kemi nevojë urgjente për më shumë burime për të mbështetur vendet që presin refugjatët”, vlerësoi ai.

Të dielën, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se një armëpushim i ri shtatëditor është arritur midis grupeve rivale sudaneze, i cili do të hyjë në fuqi duke filluar nga e hëna në mbrëmje.

Arabia Saudite tha se bisedimet në qytetin e Xhides do të vazhdojnë me synimin për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe një zgjidhje përmes dialogut.

Burimet mjekësore vlerësojnë se rreth 1.000 njerëz janë vrarë gjatë luftës që shpërtheu më 15 prill midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Luftimeve u parapriu një mosmarrëveshje në muajt e fundit midis ushtrisë dhe RSF-së rreth integrimit të grupit paraushtarak në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, një lëvizje kjo e cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.

Periudha e tranzicionit e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024.

Related posts

Kontrabandimi i mallrave po i shkakton dëme të mëdha Kosovës

rezart morina

Bosnjë dhe Hercegovinë, helikopteri me katër anëtarë të ekuipazhit rrëzohet në liqen

RTI

​Ministri i ri i Mbrojtjes, letër të hapur për stafin civil dhe ushtarak të FSK-së

rezart morina