Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se rreth 450 mijë palestinezë janë zhvendosur me forcë nga qyteti Rafah në jug të Rripit të Gazës, në të cilin Izraeli vazhdon sulmet, transmeton Anadolu.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në një deklaratë përmes platformës së saj në median sociale X, informoi lidhur me situatën në qytetin Rafah në të cilin Izraeli vazhdon sulmet dhe në të cilin janë strehuar rreth 1.5 milion palestinezë.
Për shkak të largimit të familjeve në kërkim të sigurisë, rrugët në Rafah janë të zbrazëta, thuhet në deklaratë.
“Që nga fillimi i sulmeve e deri më tani parashikohet se nga Rafah janë zhvendosur me forcë rreth 450 mijë palestinezë. Njerëzit përballen me lodhje të vazhdueshme, uri dhe frikë. Asnjë vend nuk është i sigurt. Shpresa e vetme është armëpushimi urgjent”, thuhet në deklaratë.
Më 7 maj ushtria izraelite filloi sulm tokësor në Rafah të Gazës dhe njoftoi se kishte pushtuar pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.
Më 10 maj Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi vendimin lidhur me “zgjerimin e zonës” së sulmeve tokësore në Rafah.
The post OKB: Rreth 450 mijë palestinezë janë larguar nga Rafah për shkak të sulmeve izraelite first appeared on Radio Televizioni Iliria.