Policia e Kosovës gjatë operacionit policor “Guri” ka arrestuar gjashtë persona dhe ka sekuestruar mbi 12 kilogram marihuanë, shkruan teve1.info.
Operacioni “Guri” është zhvilluar në 11 lokacione, ku si provë materiale përveç substancës së konfiskuar, janë gjetur edhe 3 mijë 467 euro, 12.700 lekë, ku dyshohet se janë përfituara nga vepra penale, dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike.
“Vlen të ceket se gjatë kontrolleve, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, në tri operacionet e më hershme dhe me këtë të ditës së sotme, PK thotë se janë konfiskuar 48 kilogram substancë marihuanë, vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro.
“Në tri operacionet e më hershme dhe në këtë të ditës së sotme janë konfiskuar rreth 48 kg substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro, janë arrestuar nëntë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’”.