Partitë opozitare në vend po vlerësojnë se partia në pushtet është duke larguar njerëzit nga administrata publike për t’i punësuar të afërmit e tyre.
Sipas tyre me këtë Qeveri ka marr formë “nepotizmi”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se nga dita e parë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shfrytëzuar mundësinë në çdo moment për ti larguar njerëzit, me difirencu njerëz politikisht, me bërë presion mbi administratën publike që ata të lëshojnë vendet e punës dhe të punësojnë njerëz të vet.
“Qeveria e Kosovës nga dita e parë e ka shfrytëzuar mundësinë në cdo moment për ti larguar njerëzit, me difirencu njerëz politikisht, me bërë presion mbi administratën publike që ata të lëshojnë vendet e punës dhe të punësojnë njerëz të vet, njerëz të afërt edhe familjarë, e aq më keq kur Qeveria e Kosovës i shfrytëzon katastrofat në vend që ti kryej këto punësime dhe këto punësime të kalojnë në heshtje”, tha ajo.
Musliu duke përmendur disa nga punësimet familjare që sipas saj i ka bërë udhëheqësit shtetërorë, tha se kësaj qeverisje duhet që ti vije fundi pasi sipas saj pushteti ka hyrë në një rrugë pa krye.
“Nuk guxon që të kalon në heshtje punësimi i tezakës në këtë rast sepse ju e din që nuk është vetëm ai rast e kishim edhe vëllaun, pra disa ditësh të presidentes Bankën Qendrore, kishim një tezake tjetër në Universitet e kështu më radhë të mos flasim për bashkëshortin e saj i cili merr pagë pa punuar as një ditë i cili shantazhon mediet. Unë konsideroj që kësaj qeverisje duhet që ti vije fundi, dy vjet kemi pritur me ide që kjo do ta gjejë rrugën por fatkeqësisht kjo ka hyrë në një rrugë pa krye dhe nuk ka kthim”, tha ajo.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, u shpreh se punësimet e të afërmeve nga Qeveria është bërë një gjë normale.Ai ka ironizuar me këto punësime, duke thënë se korrupsioni e nepotizmi kanë marr kuptim për këtë Qeveri.
“Në fakt ka qenë një debat i ashpër për këto punësime në kohët më përpara edhe kanë shpikur këso lloj punësime, kanë etiketuar edhe kanë përbaltë plotë njerëz, kanë qenë krejt rrena. Kurse tani kjo punë është aq normale edhe aq përditë bëhen edhe nuk është reagimi qysh pritej apo si ka qenë atëherë. Unë besoj që kjo qeveri nepotizmin, do të thotë tash ka marr kuptim gjithçka edhe korrupsioni edhe kapja e shtetit edhe nepotizmin edhe të gjitha”, u shpreh Berisha.
“Tash ka marr kuptim kapja e shtetit, atë herë ka qenë vetëm si farëz, është përdorur politikisht dhe është gënjyer në masë të madhe, por tash është duke u bërë më të vërtet. Është e rrezikshme sepse shteti nuk mundet dhe nuk funksionon”, tha ai.