RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Organizata joqeveritare kërkojnë nga qeveria britanike të ndalojë transferimin e armëve në Izrael

organizata-joqeveritare-kerkojne-nga-qeveria-britanike-te-ndaloje-transferimin-e-armeve-ne-izrael

Disa organizata joqeveritare kërkuan sot që qeveria e Britanisë të ndalojë “menjëherë” transferimet e armëve për qeverinë izraelite dhe të pezullojë licencat përkatëse, transmeton Anadolu.

Në një letër të përbashkët drejtuar Sekretarit të Jashtëm David Cameron, Fushata Kundër Tregtisë së Armëve (CAAT), Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW) thanë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të pezullojë menjëherë licencat ekzistuese për pajisjet dhe teknologjinë ushtarake.

“Ekziston një rrezik i qartë që armët dhe pajisjet ushtarake të transferuara në Izrael mund të përdoren për të lehtësuar ose kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë sulme që mund të përbëjnë krime lufte”, thuhet në letrën e lëshuar nga Qendra Ndërkombëtare e Drejtësisë për Palestinezët (ICJP), e cila ishte ndër nënshkruesit.

Në letër thuhet gjithashtu se vendi duhet të pezullojë dhënien e licencave të reja “ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit vazhdojnë të kryejnë shkelje serioze të përhapura, përfshirë krime të luftës, pa u ndëshkuar”.

“Dështimi për ta bërë këtë rrezikon që qeveria të shkelë ligjet e veta dhe detyrimet ndërkombëtare dhe të jetë bashkëpunëtore në abuzime të rënda”, theksohet më tej.

Letra tregon se që nga viti 2015, Mbretëria e Bashkuar ka licencuar të paktën 474 milionë funte në eksporte ushtarake për në Izrael, duke përfshirë komponentë për avionë luftarakë, raketa, tanke, teknologji, armë të vogla dhe municione.

Krahas kësaj, Mbretëria e Bashkuar siguron 15 për qind të komponentëve të aeroplanit bombardues F-35 që po përdoret aktualisht në Gaza, thuhet në letër dhe shtohet se testimi i qëndrueshmërisë për F-35 është ndërmarrë gjithashtu në Britani.

“Në kontekstin e armiqësive aktuale, shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare janë kryer nga të gjitha palët në konfliktin e armatosur, disa prej të cilave përbëjnë krime lufte”, kanë thënë OJQ-të, duke shtuar më tej:

“Mbretëria e Bashkuar rrezikon të jetë bashkëpunëtore dhe të lehtësojë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar nëse nuk arrin të ndalojë menjëherë eksportet e armëve në Izrael”.

Related posts

Presidenti i Sirisë pajtohet të hapen dy pika kufitare për ndihma

admin

J.D. Vance, kandidati për nënpresident mban fjalimin në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve: Do luftojmë për qytetarët amerikanë

admin

Erdogan: Përpjekjet e Izraelit për të destabilizuar rajonin po rriten

RTI