Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sonte në takim zëvendëskryeministrin Antonio Tajani, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë dhe ministrin e mbrojtjes Guido Crosetto, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në raport me dialogun me Serbinë.
Kosova e konsideron Italinë si një partnere, me të cilën synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha, ka theksuar presidentja Osmani, duke mirëpritur idenë e palës italiane për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet bizneseve të dy shteteve.
Sipas presidentes Osmani, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit. Ajo ka theksuar se Kosova është një vend me potencial të madh të të rinjve të kualifikuar dhe se ofron mjedis të përshtatshëm për investime të huaja.
Nga zëvendëskryeministri italian Tajani, presidentja Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës.