Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e Forumit Ballkanik, i cili po mbahet në Budapest të Hungarisë, realizoi takime të ndara me homologët e tij nga Shqipëria, Olta Xhaçka, dhe nga Serbia, Ivica Daçiq.
Në njoftimin e dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, thuhet se në takime u shkëmbyen mendime për më shumë çështje lidhur me marrëdhëniet bilaterale politike dhe ekonomike, bashkëpunimin në kuadër të iniciativave rajonale, duke e vënë theksin në procesin e integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
Duke përshëndetur progresin në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Osmani theksoi se gjetja e një zgjidhjeje për çështjet e hapura do të shënonte faqe të re jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe në dinamikën e përgjithshme rajonale, e cila është nën ndikim të kontekstit të ndryshuar gjeopolitik dhe pritshmërive për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Në prag të takimeve në Ohër, më 18 mars, Osmani theksoi se zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme do të sigurojë paqe, stabilitet dhe përparim të rajonit në tërësi.
Në njoftim thuhet se u bisedua për rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, si dhe për marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, në nëntor të vitit të kaluar.
Në këtë drejtim, u konstatua se realizimi i obligimeve të marra me këto marrëveshje mbetet prioritet i vendeve nënshkruese.