RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani: Vuçiq organizoi dhe urdhëroi sulmin në Banjskë

osmani:-vuciq-organizoi-dhe-urdheroi-sulmin-ne-banjske

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se prapa sulmit në Banjskë qëndron presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Osmani në një intervistë për televizionin arab “Al Aan”, ka thënë se kjo i është konfirmuar dhe nga shumë liderë e zyrtarë që ka takuar.

“Dëshmitë janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. Tani ai po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, tha ajo.

Osmani theksoi se secili shtet do të vendosë vetë se si do t’i përdorë këto dëshmi.

Presidentja ka thënë se Kosova ka kryer hetimin e saj nëpërmjet institucioneve përgjegjëse. Ka shtuar se një pjesë e hetimit është publikuar e një pjesë varet nga policia se kur do të publikohet.

“Gjitha dëshmitë janë aty për ata që duan t’i shohin. Por, ka disa shtete që s’duan t’i përdorin e të tjerat që duan t’i injorojnë. Por, historia na ka mësuar rëndë në shumë raste, se kur autokratët mundohen të qetësohen, atëherë ata inkurajohen të bëjnë më tepër e jo më pak”, tha Osmani.

Related posts

Punëtorët e Amazon organizojnë protesta

admin

Zimbabve, 157 fëmijë humbin jetën nga fruthi

admin

Qeveria ndan 16 mijë euro në mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Luginës

admin6