Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në ditën e Veteranit, kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se është anti-UÇK.
Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se bashkërisht në vitin 2024, do t’i thonë stop jo vetëm kryeministrit Kurti por çdokujt që bën përpjekje për të njollosur dhe atakuar luftën e UÇK-së.
“Ne qëndrojmë me qëndrime tona edhe ndaj Gjykatës Speciale e cila pamëshirshëm me pretendime, shpifje dhe gjithë ato që po i bën ndaj luftës dhe krerëve të saj por gjithsesi shprehem shqetësimet tona edhe ndaj kësaj qeverie e cila prej që është dhe është e vetmja qeveri pasluftës që është qeveri anti-UÇK. Çdoherë prej që është kryeministër Albin Kurti dhe vartësit e tij, përpjekjet e vazhdueshme i ka bërë për të goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mohuar të drejtat këtyre kategorive dhe ne e diskutuar dhe në vitin 2024, presim edhe interpretimin e Kushtetueses që goditi veteranët duke i hequr nga paga minimale dhe ne do të organizohemi për të kundërshtuar çdo padrejtësi që i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Jashari shtoi se kryeministri Albin Kurti ka shkelur ligjin duke ia mohuar familjeve të dëshmorëve kontributet.
“Ka shkel mbi gjymtyrët e invalidëve, po shkel çdo ditë mbi gjakun e dëshmorëve por mendoj që bashkërisht që në vitin 2024, do t’i themi stop jo vetëm këtij kryeministri por çdokujt që bën përpjekje për të njollosur dhe atakuar luftën e UÇK-së ”, tha ai.