RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

OVL-UÇK kërkon amendament në Projektligjin për Specialen: Të ndalohet rihapja e rasteve për të njëjtat fakte

ovl-uck-kerkon-amendament-ne-projektligjin-per-specialen:-te-ndalohet-rihapja-e-rasteve-per-te-njejtat-fakte

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka drejtuar kërkesë Kuvendit të Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament i veçantë.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL-UÇK kërkon që të përcaktohet qartë ndalimi i rihapjes së çështjeve dhe procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që, sipas tyre, janë shqyrtuar dhe gjykuar përfundimisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.

Sipas OVL-UÇK-së, një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet në mënyrë të përsëritur me procedura penale për të njëjtat fakte për të cilat ekziston një vendim përfundimtar.

“Ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar”, thuhet në kërkesën e OVL-UÇK-së.

Organizata ka përmendur edhe proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata janë gjetur fajtorë në shkallën e parë për raste që, sipas saj, janë trajtuar më herët në procese të ndryshme gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.

OVL-UÇK i ka bërë thirrje Kuvendit që këtë çështje ta adresojë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të projektligjit, me qëllim, siç thuhet, garantimin e sigurisë juridike, barazisë para ligjit dhe të drejtës për një proces të drejtë.

Në fund, OVL-UÇK ka kërkuar që amendamenti të trajtohet me urgjencë dhe të përfshihet në plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Related posts

“Epoka e artë” e eklipseve fillon në vitin 2026! Ja kur do mund të shihni spektaklin e “hënës së përgjakur”, “unazën e zjarrit” dhe eklipsin total

admin

“Një luftë e intensitetit të lartë në Evropë s’është më fantazi”- Paralajmërimi i Borrell: Nuk do të fillojë nesër, po…

admin

BE ofron 10 miliardë euro për vendet e goditura nga përmbytjet! Gjermania, ndihmë ushtarake Polonisë

admin