RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pakistan, 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur nga shpërthimi në xhami

pakistan,-28-te-vrare-dhe-mbi-150-te-plagosur-nga-shperthimi-ne-xhami

Të paktën 28 persona, përfshirë disa policë, u vranë dhe mbi 150 u plagosën pasi një kamikaz i dyshuar hodhi veten në erë gjatë namazit të drekës në një xhami në qytetin veriperëndimor Peshawar, njoftuan autoritetet dhe mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference për shtyp, zëvendëskomisioneri i Peshawar-it, Shafi Ullah, konfirmoi se 28 persona janë vrarë në shpërthim.

Mohammad Asim, zëdhënësi i Spitalit “Lady Reading” në Peshawar, ku u transportuan viktimat e shpërthimit, më herët u tha gazetarëve se në spital janë sjellë 25 trupa dhe mbi 120 të plagosur.

Mbi dymbëdhjetë nga të plagosurit janë në gjendje kritike, shtoi ai.

Xhamia ndodhet brenda një kompleksi të forcave policore.

Ministri i Mbrojtjes i vendit Khawaja Asif tha për Geo News se sulmuesi i dyshuar ishte në rreshtin e parë në xhami dhe hodhi veten në erë sapo filloi namazi.

Spitali ka shpallur emergjencë, ndërsa mjekët bëjnë apel për dhurim gjaku.

Asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës, megjithëse organizata mëmë e talebanëve pakistanezë, Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), ka kohë që synon forcat e sigurisë përmes sulmeve vetëvrasëse.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkaktoi shembjen e çatisë së xhamisë, si dhe thyerjen e xhamave të dritareve dhe dyert e ndërtesave përreth.

Zyrtarët e shpëtimit kanë frikë se disa viktima mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat.

Qindra njerëz u mblodhën në vendngjarje për të kërkuar anëtarët e familjes së tyre të humbur, ndërsa punonjësit e shpëtimit të mbështetur nga makineri të rënda po përpiqen të pastrojnë mbeturinat.

Peshawa mbeti një vatër sulmesh terroriste gjatë dy dekadave të fundit, megjithëse situata e rendit dhe ligjit është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Sulmi i fundit i madh në Peshawar ndodhi vitin e kaluar, kur një kamikaz hodhi veten në erë brenda një xhamie shiite, duke vrarë 63 persona.

Kryeministri Shehbaz Sharif dhe lideri i opozitës Imran Khan e kanë dënuar sulmin me bombë, duke e quajtur atë një akt “të urryer”.

Sharif u zotua se autorët do të sillen para drejtësisë.

Related posts

Netanyahu ka refuzuar propozimin e SHBA-së për “normalizim me Arabinë Saudite në këmbim të shtetit të Palestinës”

admin

Azerbajxhani goditet nga një tërmet me magnitudë 5,7 ballë

admin

Osmani pritet nga O’Brien në SHBA: Flasin për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë – Serbi

rezart morina