RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Palët ndërluftuese të Sudanit nisin bisedimet direkte në Arabinë Saudite

palet-nderluftuese-te-sudanit-nisin-bisedimet-direkte-ne-arabine-saudite

Përfaqësuesit e ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) filluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në Arabinë Saudite sot, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë shtetërore saudite të lajmeve SPA, bisedimet mes dy rivalëve ushtarakë u zhvilluan në qytetin Xhides.

Të premten, Arabia Saudite dhe SHBA përshëndeti fillimin e “bisedimeve paranegociuese” midis dy palëve në konflikt për t’u dhënë fund luftimeve të tyre që kanë lënë qindra të vdekur.

Në një deklaratë të përbashkët saudito-amerikane u kërkua nga rivalët sudanezë që “të marrin parasysh interesat e popullit sudanez dhe të angazhohen në mënyrë aktive në bisedimet drejt një armëpushimi dhe përfundimit të konfliktit”.

Deklarata bëri thirrje për mbështetje të qëndrueshme globale për bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit në Sudan dhe për një proces të zgjeruar negociimi që duhet të përfshijë angazhimin me të gjitha palët sudaneze.

Luftimet midis dy gjeneralëve rivalë – shefit të ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan dhe komandantit të RSF-së, Mohammed Hamdan Dagalo – shpërthyen më 15 prill, duke lënë më shumë se 550 të vdekur.

Mosmarrëveshjet midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake u përshkallëzuan rreth integrimit të RSF-së në forcat e armatosura, që është kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që u cilësua nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Related posts

Spanja liron aksidentalisht bosin holandez të drogës, më pas ai arratiset! Ministri i Drejtësisë: Do ta arrestojmë dhe…

admin

Japonia regjistron vdekje rekord nga COVID-19 të mërkurën

admin

Policia bën apel për vigjilencë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike

admin