Udhëheqësi i Kishës Katolike, Papa Françesku tha se situata në Sudan ruan seriozitetin e saj dhe bëri thirrje që dhuna të ndalet sa më parë, transmeton Anadolu.
Në lutjen tradicionale të të dielës nga dritarja e zyrës së punës që shikon në sheshin e famshëm të Shën Pjetrit në Vatikan, Papa foli për zhvillimet në Sudan.
“Fatkeqësisht, situata në Sudan ruan seriozitetin e saj. Për këtë arsye përsëris thirrjen time që dhuna të ndalet sa më parë dhe të hapet sërish rruga për dialog. I ftoj të gjithë që të luten për vëllezërit tanë sudanezë”, tha Papa në fjalimin e tij drejtuar njerëzve të mbledhur në shesh.
Kreu i Vatikanit deklaroi se nuk duhet të harrojmë edhe Ukrainën në të cilën lufta vazhdon.
– Përleshjet mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë në Sudan
Mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin Khartoum dhe në qytete tjera të Sudanit filluan përleshje të armatosura mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë.
Mosmarrëveshja e përjetuar prej disa muajsh mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë për çështjen e reformës së sigurisë ushtarake që parashikon pjesëmarrjen e plotë të Forcës së Mbështetjes së Shpejtë në ushtri, u shndërrua në një konflikt të nxehtë mes dy forcave.
Ministria e Jashtme sudaneze njoftoi se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Këshillit të Sovranitetit dhe komandant i ushtrisë ka vendosur shpërbërjen e Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë që konfliktohen me ushtrinë, shpalljen e saj si forcë rebele kundër shtetit dhe se do të veprohej sipas këtij parimi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në përleshje kanë humbur jetën mbi 400 persona.
Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë njoftuan se do të zbatojnë armëpushimin “humanitar” prej 72 orësh që nga dita e parë e Bajramit ndërkohë edhe ushtria në orët e mbrëmjes njoftoi se do t’i përmbahet thirrjes ndërkombëtare për armëpushim.