Papa Françesku tha se Mesdheu është shndërruar në një “varrezë” për migrantët, transmeton Anadolu.
Siç bëri të ditur agjencia Vatican News, duke tërhequr vëmendjen për vështirësitë e përjetuara nga migrantët në udhëtimin e tyre “për diku ku ata mund të jetojnë në paqe dhe siguri”, Papa tha: “Mesdheu, një vend komunikimi midis popujve dhe qytetërimeve, është bërë një varrezë”.
Duke pohuar se shumica e vdekjeve të migrantëve mund të ishin parandaluar, ai kritikoi njerëzit “të cilët punojnë sistematikisht, duke përdorur të gjitha mjetet, për të larguar migrantët”.
“Kur kjo bëhet me vetëdije dhe përgjegjësi, është një mëkat i rëndë”, shtoi Papa.
Duke përsëritur se migrantët nuk duhet të vdesin në dete apo shkretëtirë, Papa Françesku argumentoi se inkuadrimi i ligjeve më të rrepta kundër migracionit ose militarizimi i kufijve nuk është mënyra për të shmangur këtë gjendje tragjike.
Papa më tej bëri thirrje për të “zgjeruar shtigjet e sigurta dhe të rregullta për migrantët”, duke lehtësuar strehimin për ata që ikin nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe fatkeqësitë e ndryshme, bazuar në drejtësi, vëllazëri dhe solidaritet.
Papa Françesku vlerësoi gjithashtu përpjekjet e organizatave që po përpiqen të ndihmojnë migrantët dhe refugjatët në Mesdhe dhe gjithkund në botë.