Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi filloi sot turneun e saj në Azi, një turne që po mbahet i diskret pas përshkallëzimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Kinës në lidhje me çështjen e Tajvanit.
Më herët, kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong i bëri thirrje Pelosit që të punojë për marrëdhënie “të qëndrueshme” me Pekinin gjatë takimit të tyre.
“Kryeministri Lee theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për paqen dhe sigurinë rajonale,” njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Singaporit.
Nuk ka ende asnjë informacion nëse Pelosi do të vizitojë Tajvanin, raporton abcnews.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Singapor, nga ana e saj, konfirmoi se Pelosi është në listën e të ftuarve për një pritje më vonë sot.
Turneu i saj aziatik përfshin ndalesa në Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni, por ajo që ka ngjallur interes është një vizitë e mundshme në Tajvan.
Raportet për vizitën e saj të planifikuar në ishull kanë zemëruar Pekinin dhe kanë vënë në siklet edhe Shtëpinë e Bardhë, ndërsa presidenti Joe Biden përpiqet të de-përshkallëzojë marrëdhëniet me Kinën.
Pekini e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur territorin e tij, për të cilin thotë se një ditë do ta pushtojë me forcë nëse është e nevojshme, ndërsa ka lëshuar paralajmërime gjithnjë e më të forta se do ta konsideronte një vizitë të Pelosit si një sfidë serioze.
Më herët, gjatë një konference për shtyp nga Ministria e Jashtme kineze, zëdhënësi Zhao Liqian paralajmëroi se Kina nuk do të “qendronte duarkryq ” nëse Pelosi do të vizitonte Tajvanin.
Ndërkohë zyra e zyrtares së lartë amerikanbe konfirmoi turneun e saj në Azi në një deklaratë dje.
“Udhëtimi do të fokusohet në sigurinë e ndërsjellë, bashkëpunimin ekonomik dhe qeverisjen demokratike në rajonin Indo-Paqësor “, thuhet në deklaratën që i referohet rajonit Aziatik-Paqësor.
“Delegacioni ynë do të mbajë takime të nivelit të lartë për të diskutuar se si mund të avancojmë më tej interesat dhe vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Tajvani nuk përmendet në njoftim.
Zakonisht vizitat e politikanëve dhe zyrtarëve amerikanë në Tajvan zakonisht mbahen të fshehta derisa delegacionet të zbarkojnë për shkak të marrëdhënieve me Pekinin.
Në këtë tur Pelosi shoqërohet nga Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme Gregory Meeks si dhe anëtarë të Komisionit të Përhershëm të Zgjedhur për Inteligjencën dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
23 milionë qytetarët e Tajvanit kanë jetuar për vite me mundësinë e një pushtimi kinez, por ky kërcënim është rritur nën lidershipin e presidentit Xi Jinping.
Gjithashtu zyrtarët amerikanë shpesh bëjnë vizita diskrete në Tajvan për të treguar mbështetjen e tyre, por një vizitë e Pelosit do të ishte më e rëndësishmja politikisht në historinë moderne.
Si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi është e treta në radhë për presidencën amerikane dhe një nga politikanët më të fuqishëm në vend.
Kryetari i fundit i Dhomës që vizitoi Tajvanin ishte Newt Gingrich në 1997.
Biden dhe Xi patën një telefonatë javën e kaluar me tone të larta të dominuara nga mosmarrëveshjet e tyre për Tajvanin.
Xi lëshoi një paralajmërim të qartë për SHBA “të mos luajnë me zjarrin” në lidhje me ishullin.
Spekulimet e ethshme për një vizitë të mundshme të Pelosit në Tajvan kanë përkuar me një rritje të aktivitetit ushtarak në rajon, duke nënvizuar se sa e djegshme është situata.
Zyrtarët amerikanë janë përpjekur të minimizojnë rëndësinë e një vizite të mundshme të Pelosit në Tajvan, duke u bërë thirrje për qetësi liderëve kinezë./abcnews