RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Paralajmërohet dimër i vështirë, KEK-u ende s’ka filluar remontin tremujor të bllokut A5

paralajmerohet-dimer-i-veshtire,-kek-u-ende-s’ka-filluar-remontin-tremujor-te-bllokut-a5

Që nga mesi i muajit gusht blloku A5 i termocentralit “Kosova A” është jashtë funksionit. Por, remonti i planifikuar në këtë bllok, që pritet të zgjasë rreth tre muaj, nuk ka filluar ende.

Tenderi i hapur në qershor kishte dështuar shkaku se nuk ishte paraqitur asnjë ofertues.

Aktualisht është duke u zhvilluar një procedurë me negocim, ku nga KEK-u kanë njoftuar se kanë ftuar 19 kompani, të cilat kanë kryer më herët remonte në blloqet e kësaj kompanie.

Remonti në këtë bllok nuk pritet të përfundojë para dhjetorit. Situata energjetike pritet të rëndohet në muajt e fundit të vitit, kur rritet konsumi dhe prodhimi vendor nuk e mbulon kërkesën për rrymë.

Në KEDS kanë bërë të ditur se aktualisht situata është stabile dhe po furnizohen vetëm me prodhim vendor. Kjo kompani ka bërë të ditur se nuk kanë kontrata afatgjata për import të energjisë gjatë dimrit, derisa iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë elektrike.

“Këtë viti pritet që çmimi i megavatit të shkojë deri në 1 mijë euro, që është jashtëzakonisht shumë mjaft e madhe. Po flasim për pikun e verës, imagjinoni se si do të jetë dimrit. Por, ne do të vazhdojmë që të bëjmë thirrje që të gjithë konsumatorët t’i bashkohen fushatës për kursim, sepse është e domosdoshme. Ne vazhdimisht do të jemi afër për t’iu dhënë këshilla dhe udhëzime se si ta bëjnë këtë gjë”, ka thwnw Margarita Rashiti, zyrtare për media në KEDS.

Kriza energjetike ka rënduar situatën me çmime. Në shtatorin e sivjetshëm një megavat energji elektrike ka kushtuar rreth 260 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Nga 140 euro sa ishte vjet, të mërkurën çmimi i një megavati është tregtuar deri në 500 euro.

Edhe Lulzim Syla, njohës i çështjeve energjetike, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në konsum të energjisë, shkaku se tashmë vendet evropiane janë duke u përballur me krizë të rëndë energjetike dhe rritje të çmimeve.

“Qeveria duhet të përgatitet në të gjitha frontet për kursim të energjisë, mekanizmave mbështetës për qytetarët dhe bizneset që kursejnë energji. Qeveria veç është duke marrë disa masa që ta kursejnë energjinë”, tha Syla.

Kuvendi në fund të sesionit pranveror kishte miratuar masat emergjente të energjisë për periudhën 60-ditore, ku parashihet kursim i energjisë edhe në institucionet publike.

Shkaku i rritjes së çmimeve të energjisë Bashkimi Evropian është duke përgatitur plane emergjente për të kufizuar rritjen e çmimeve të energjisë.

Blloku evropian është duke analizuar edhe mundësinë e ndarjes së çmimeve të energjisë nga çmimet në rritje të gazit, por edhe reforma të tjera afatgjata, me qëllim të sigurimit që çmimet e energjisë të reflektojnë energji të ripërtërishme më të lirë.

Related posts

Kurti udhëton drejt Brukselit

admin

Tërmet i fuqishëm në Ekuador, katër viktima dhe ndërtesa të dëmtuara

admin

Opozita kërkon koordinim me aleatët: Kosova në moment kritik

rezart morina