Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan sot në Strasburg një rezolutë që kërkon hetim ndërkombëtar të pavarur për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor në Republikën e Serbisë.
Siç raportojnë mediat serbe, dokumenti i miratuar nga eurodeputetët me 461 vota “pro” dhe 53 “kundër” bën thirrje për dërgimin e një misioni ekspertësh dhe kushtëzimin e ndihmës së mëtejshme financiare nga Bashkimi Evropian për Serbinë me përmirësimin e kushteve zgjedhore.
Deputetët e Parlamentit Evropian presin raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-së për zgjedhjet dhe i bëjnë thirrje Serbisë që të zbatojë rekomandimet e këtij institucioni dhe Komisionit të Venecias, shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Parlamenti Evropian bën thirrje për një hetim të pavarur të kryer nga “ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare, për të shqyrtuar parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe provinciale, dhe veçanërisht në zgjedhjet për qytetin e Beogradit”, sepse, siç thuhet, “disa pretendimet në lidhje me migrimin e organizuar të votuesve shkojnë përtej kornizës së mbuluar nga raporti i OSBE dhe ODIHR-së”.
PE-ja gjithashtu mbështet dërgimin e shpejtë të një misioni faktmbledhës ad hoc në Serbi, vetëm me pjesëmarrjen e PE-së.
Anëtarët e Parlamentit Evropian votuan gjithashtu për një artikull ku thuhet se negociatat e pranimit me Serbinë duhet të përparojnë vetëm nëse vendi bën përparim të rëndësishëm në reformat që lidhen me BE-në, duke përfshirë zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias, dhe në të cilin Komisioni dhe Këshilli janë të ftuar të zbatojnë kushte strikte, të ndjekin në detaje raportet e Gjykatës së Audituesve dhe të fillojnë menjëherë auditimin e fondeve të dhëna për Qeverinë e Serbisë sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit III dhe instrumente të tjera financiare.