RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Parlamenti i Indisë debaton mocionin kundër kryeministrit Modi

parlamenti-i-indise-debaton-mocionin-kunder-kryeministrit-modi

Opozita e Indisë ka akuzuar kryeministrin e vendit, Narendra Modi, se zgjodhi heshtjen ndërkohë që një shtet verilindor i qeverisur nga partia e tij, është tronditur nga dhuna etnike.

Parlamenti ka filluar debatin, të martën, mbi një mocion mosbesimi kundër qeverisë së tij, i cili pritet të mos kalojë.

“Nëse Manipuri digjet, India digjet. Nëse Manipuri ndahet, India ndahet”, ka thënë ligjvënësi i Partisë së Kongresit, Gaurav Gogoi, teksa hapi debatin mbi mocionin.

Për tre muaj, Modi nuk ka komentuar mbi trazirat në shtetin e largët.

Manipuri është në prag të një lufte civile dhe opozita po kërkon që Modi ta deklarohet për konfliktin në Manipur nga foltorja e Parlamentit.

Ai pritet të flasë kur mocioni të hidhet në votim.

Qeveria e Modit, e drejtuar nga Partia Bharatiya Janata, ka një shumicë të qartë në Parlament, që do të thotë se mocioni nuk do të kalojë.

Gogoi ka thënë ndër të tjera se mocioni i mosbesimit nuk kishte të bënte kurrë me numra, por me kërkimin e drejtësisë për Manipurin.

Udhëheqësi i lartë i opozitës Rahul Gandhi, gjithashtu pritet të flasë, të martën, një ditë pas rikthimit të tij në parlament.

Parlamenti i Indisë është bllokuar nga një ngërç intensiv prej javësh për shkak të krizës në Manipur.

Seancat që mbaheshin thuajse çdo ditë, janë ndërprerë, për shkak të protestave dhe sloganeve të opozitës. Më shumë se 150 vdekje janë raportuar në Manipur dhe mbi 50 mijë njerëz janë larguar nga frika, derisa përleshjet vazhdojnë.

Kritikët thonë se qeveria ka folur shumë pak publikisht mbi situatën në Manipur dhe planet e tyre për ta zgjidhur atë.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, vizitoi shtetin në maj dhe zhvilloi bisedime me krerët dhe grupet e komunitetit, por dhuna ka vazhduar pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe pranisë së madhe të ushtrisë. /koha

Related posts

Stolterberg pas takimit me Vuçiqin: Dy palët të përmbahen nga tensionet

admin

Rama inauguroi qendrën e re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, reagon Rusia: Qendër kibernetike e orientuar për sulme ndaj nesh!

admin

Kurti: Sot nënshkruam 19 marrëveshje, këto janë dëshmi të forta të bashkëpunimit tonë

admin