Parlamenti i Izraelit (Knesset) ka votuar në mbështetje të një vendimi të qeverisë për të refuzuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez, transmeton Anadolu.
Qeveria izraelite të dielën miratoi një deklaratë që refuzon ndonjë njohje të njëanshme të një shteti palestinez, ndërsa sot 99 anëtarë të Knesset-it nga gjithsej 120 vende votuan në mbështetje të vendimit të qeverisë. Vetëm 9 anëtarë votuan kundër vendimit të qeverisë.
“Nuk mbaj mend kaq shumë vota ku Knesset votoi me një shumicë prej 99 nga 120”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu pas votimit, duke argumentuar se votimi i sotëm “dërgon një mesazh të qartë për komunitetin ndërkombëtar”.
Sipas kryeministrit izraelit, “Knesset u bashkua kundër përpjekjes për të na diktuar krijimin e një shteti palestinez, një diktat i cili jo vetëm që nuk do të sillte paqe, por do të rrezikonte shtetin e Izraelit”.
Javën e kaluar, gazeta ‘Washington Post’ tha se SHBA-ja dhe vendet arabe po finalizojnë një plan afatgjatë të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve, që përfshin një afat kohor të vendosur për krijimin e një shteti palestinez.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke pretenduar të gjithë Kudsin si kryeqytet “të përjetshëm dhe të pandarë”, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Palestinezët, nga ana e tyre, shpresojnë në krijimin e një shteti të pavarur të tyre në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Kudsin Lindor si kryeqytet të tyre.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë mbi 29.300 palestinezë dhe duke shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendim i përkohshëm që në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.