Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ratifikoi të mërkurën protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Në parlamentin prej 120 vendesh, 103 ligjvënës të partive në pushtet dhe të opozitës votuan në favor, ndërsa vetëm dy ligjvënësit e partisë nacionaliste maqedonase “E Majta” votuan kundër, duke iu përmbajtur kështu qëndrimeve të tyre të mëparshme kundër NATO-s. Sidoqoftë, votimi u pasua nga duartrokitje në sallën e parlamentit.
Në seancën e parlamentit munguan dhjetë deputetë të partive opozitare maqedonase, tre të partive të koalicionit qeveritar dhe dy deputetë të partisë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët, të cilët nuk ishin po ashtu të pranishëm në seancën e ratifikimit të dokumentit të rëndësishëm.
Parlamenti në Shkup për herë të parë bën ratifikimin e protokolleve të vendeve të reja aspirante për anëtarësim në Aleancë. Maqedonia e Veriut është vendi më i ri anëtar i NATO-s; ajo zyrtarisht u bë pjesë e Aleancës Veriatlantike në muajin mars të vitit 2020.
Në seancën e parlamentit morën pjesë Kryeministri Dimitar Kovaçevski, Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, anëtarë të tjerë të qeverisë dhe pjesëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shkup, në mesin e të cilëve, ambasadorët e dy vendeve aspirante.
Maqedonia e Veriut është vendi i nëntëmbëdhjetë nga tridhjetë shtetet anëtare të NATO-s që deri tani ka miratuar anëtarësimin e dy vendeve skandinave në Aleancë.
Autoritetet maqedonase e vlerësojnë aktin e ratifikimit të protokolleve si një konfirmim të orientimit strategjik të vendit ndaj politikave për dyert e hapura të NATO-s dhe të zgjerimit të saj.
“Anëtarësimi i Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në Aleancën Veriatlantike është një hap shumë i rëndësishëm për forcimin e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Evropë, duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë”, thuhet në një komunikatë të qeverisë në Shkup.
Suedia dhe Finlanda dorëzuan kërkesat për anëtarësim në NATO pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Protokollet u nënshkruan më 5 korrik në Bruksel nga zyrtarët e vendeve anëtare të NATO-s. /voa