Sulm me dron mbi termocentralin që furnizon me energji Xhaminë e Profetit
Huthinjtë e Jemenit kryen një sulm me dron në një stacion shpërndarjeje energjie në Medinë më herët këtë javë, tha koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Sipas zëdhënësit të koalicionit, Gjeneral Brigade Turki al-Maliki, sulmi ndodhi të martën kur u godit termocentrali Taibah. Një transformator u dëmtua dhe u nxor jashtë funksionit.
Al-Maliki tha se sulmi nuk shkaktoi ndërprerje të mëdha në rrjetin elektrik. Sipas koalicionit, analiza e mbeturinave të dronit tregoi se ishin pikërisht huthinjtë pas sulmit.
Koalicioni saudit njoftoi se termocentrali i sulmuar është një nga objektet që furnizojnë me energji elektrike Xhaminë e Profetit (Al-Masjid an-Nabawi) në Medinë, një nga vendet më të shenjta në Islam.

Koalicioni akuzoi huthinjtë se po përpiqen të provokojnë reagime nga miliona myslimanë në të gjithë botën duke sulmuar infrastrukturën e lidhur me dy xhamitë më të shenjta në Islam.
Në të njëjtën kohë, u njoftua se koalicioni do të vazhdojë të marrë masa për të parandaluar sulme të reja dhe për të siguruar mbrojtjen e vendeve të shenjta.
Sulmi ndodhi gjatë një periudhe tensionesh të larta midis Arabisë Saudite dhe huthinjve, pasi sulme të reja në territorin saudit u regjistruan në javët e fundit, shkruan Saudi Gazette. /tesheshi.

