RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Pasoja në rast të moszbatimit të marrëveshjes, deklarata e Escobarit dhe ambasadorit Guerot

pasoja-ne-rast-te-moszbatimit-te-marreveshjes,-deklarata-e-escobarit-dhe-ambasadorit-guerot

Kosova dhe Serbia të shtunën, më 18 mars pas orë të tëra të bisedimeve ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit ka thënë se palët janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.

E pas arritjes së marrëveshjes ka pasur reagime të shumta.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Zyrtari i lartë amerikan diskutoi edhe për faktin që as Kosova dhe as Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen gjatë takimit në Ohër. Ai tha se fokusimi në këtë aspekt është i parëndësishëm, pasi sipas tij, kjo është marrëveshje dhe shihet si e tillë nga BE-ja.

I pyetur se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se kjo i përket popullit të Kosovës të vendosë, në bisedë me Serbinë.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Ndryshe, Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

E në rast moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ka paralajmëruar kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë se do të ketë pasoja.

Në një intervistë për RTK Guerot theksoi se do e ndjekin me vëmendje respektimin e këtyre marrëveshjeve dhe natyrisht do ketë pasoja nëse nuk respektohen.

“Ne do ndjekim me vëmendjen respektimin e këtyre marrëveshjeve. Do të ketë pasoja nëse këto marrëveshje nuk respektohen, duhet ditur se ka qenë marrëveshja me e mirë e mundshme, jemi në rrugën drejtë normalizimit dhe synimi ynë është normalizimi i plotë. Nuk do të ndalem që ta sqarojë fjalë për fjalë çështjen e termave të përdorur, nuk ka asnjë ambiguitet apo dykuptimësi sa i përket zbatimit të Asociacionit”, ka thënë ai.

“Edhe para agresionit në Ukrainë ka pasur angazhime, janë kontributet tona për t’i zgjidhur këto çështje në mënyrë që perspektiva e të dy vendeve në kontekstin e krijuar pas agresionit rus në Ukrainë ka nxitur edhe me shumë që të dy vende të shkojnë drejt BE-së”, tha ndër të tjera ambasadori Guerot.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Siç njoftohet, në këtë takim të gjerë e të përbashkët, ai i informoi ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë.

Related posts

Durmishi për ndalimin e udhëtarëve nga Serbia: Janë njoftuar vendet e QUINT-it

admin

Hamasi: Nuk ka bisedime për shkëmbimin e pengjeve para armëpushimit të plotë në Gaza

rezart morina

Presioni për dinarin, Kurti: Kërkesa që të bëhem diktator për t’i diktuar Guvernatorit të BQK s’kalon, s’do të ndodh

admin