RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pendarovski: Drejtësi nuk do të ketë deri sa janë në liri gjykatësit dhe prokurorët të cilët marrin vendime skandaloze

pendarovski:-drejtesi-nuk-do-te-kete-deri-sa-jane-ne-liri-gjykatesit-dhe-prokuroret-te-cilet-marrin-vendime-skandaloze

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mbajti fjalim para deputetëve të vendit, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit ekzekutiv të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, drejtues të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, udhëheqës fetarë, si dhe ambasadorë të huaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, në këto tridhjetë e një vjet, nuk ka pasur një periudhë më të gjatë të zhvillimit paqësor të shtetit. Sipas tij, shumë faktorë kufizuan zhvillimin dhe varfëruan burimet e vendit dhe një pjesë e këtyre krizave janë shkaktuar nga faktorë të jashtëm.

Pendarovski theksoi se për gjendjen e pavolitshme të brendshme në vend, pjesa më e madhe e përgjegjësisë bie mbi kurrizin e politikanëve vendas dhe partive politike.

“Kur besimi tek institucionet është në nivel të ulët, demokracia është në rrezik serioz. Në një ambient të tillë, populizmi dhe tendencat autoritare të cilat janë në ngritje, e realizojnë më lehtë qëllimin e vet, sepse demokracia nuk tregon nivel të mjaftueshëm të rezistencës. Kur klientelizmi dhe besnikëria partiake janë kritere për punësim dhe përparim në karrierë, nuk duhet të na habisë dobësia e institucioneve”, tha presidenti Pendarovski.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Pendarovski arsyetoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila zgjidhi kontestin për emrin dhe i mundësoi vendit të anëtarësohet në NATO.

“Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën i çrregulloi tregjet për ushqim dhe energji në botë, por, para së gjithash, infrastrukturën e sigurisë në Evropë të krijuar pas rënies së komunizmit. Edhe pse Ballkani Perëndimor është në dukje mjaft larg nga ajo anë e botës, nuk mund të përjashtohet se në një kontekst të caktuar është i mundshëm zmadhimi i tensioneve edhe në rajonin tonë”, tha Pendarovski.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se Maqedonia e Veriut pret që fokusi i ri në rajon të mos jetë vetëm një episod i shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

“Për ruajtjen e kredibilitetit të procesit integrues, Evropa nuk duhet të lejojë që Ballkanin Perëndimor ta mbajë në fokus vetëm kur ka luftëra apo kriza emigrantësh. Mbështetja për Unionin midis qytetarëve po bie në mënyrë dramatike, gjendemi në një pikë kritike dhe ky është shansi i fundit që ta ruajmë mbështetjen shumicë”, tha Pendarovski.

Ai përkujtoi se këtë vit vendi bëri një hap serioz në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në, ku këtë verë Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që filloi dialogun strategjik.

– “Drejtësi nuk do të ketë deri sa janë në liri gjykatësit dhe prokurorët të cilët marrin vendime skandaloze”

Presidenti Pendarovski shprehu bindjen se politika e jashtme e ka përcaktuar shumë gjatë dinamikën e proceseve politike në vend, duke shtuar se duhet fokus në planin e brendshëm.

Ai theksoi se askush nga jashtë nuk do të çrrënjosë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, nëse këtë nuk e bëjnë institucionet dhe përfaqësuesit e zgjedhur politik të qytetarëve.

“Tezë që shumë prej nesh e përsëritin me vite është se nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktual në burg për korrupsion, por drejtësi nuk do të ketë edhe deri sa janë në liri gjykatësit dhe prokurorët të cilët marrin vendime skandaloze, pas të cilave ndoshta ekzistojnë motive korruptuese”, tha Pendarovski.

– Demografia, rreziku më i madh për sigurinë nacionale

Duke folur për rezultatet e regjistrimit të popullsisë të publikuara këtë vit, Pendarovski theksoi se rezultatet vetëm konfirmuan se rreziku më i madh për sigurinë nacionale mbetet demografia.

Ai shtoi se sipas projektimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), deri në vitin 2050, nëse vazhdojnë këto trende, vendi do të numërojë vetëm rreth një milion banorë, nga dy milionë që numëronte kur u krijua shteti.

Related posts

Ministri Sveçla kërcënohet me vdekje nga organizata terroriste serbe

admin

Tensione në Karaçi pas arrestimit të ish-liderit pakistanez

rezart morina

Kina përfundon stërvitjen ushtarake rreth Tajvanit

admin