Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski po qëndron për një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Pendarovski ka theksuar se gjatë vizitës së tij ka takuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
“Në takimin me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, shpreha gatishmërinë për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë dhe inkurajova nismat për marrëveshje dypalëshe në disa fusha”, ka shkruar ai.
“Pres që marrëdhëniet e mira dypalëshe të vazhdojnë të zhvillohen në kuadër të dialogut politik, bashkëpunimit shumëpalësh dhe specifik në disa fusha të interesit të përbashkët”, shtoi Pendarovski.
Ndër të tjera, në njoftimin e kabinetit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut thuhet se në takim u shkëmbyen mendime për mundësitë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe prioritetet e jashtme dhe situatat politike në të dyja shtetet.
“Presidenti Pendarovski e uroi atë për emërimin e tij si president i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shprehu besimin se Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbeten të përkushtuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale, si angazhime tona të përbashkëta. Në takim u konstatua zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe u shpreh pritshmëria që dialogu i mirë politik, bashkëpunimi shumëpalësh dhe respekti i ndërsjellë të vazhdojnë me të njëjtën dinamikë edhe në të ardhmen, gjë që do të rezultojë në bashkëpunim konkret në disa fusha me interes të përbashkët”, theksohet në njoftim.
Pendarovski theksoi interesimin e Maqedonisë së Veriut për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtarë me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Me qëllim të nxitjes dhe promovimit të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit, presidenti theksoi nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor mes dy vendeve dhe inkurajoi nismat për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe dhe marrëveshjeve për bashkëpunim në disa fusha. Në takim u diskutua për vendosjen e linjës direkte të fluturimit Shkup-Abu Dhabi, si dhe u mirëpritën iniciativat për mbështetjen e projekteve investuese dhe infrastrukturore nga EBA, të cilat janë me interes strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në komunikatë.
Në kuadër të vizitës zyrtare në EBA, presidenti Pendarovski vizitoi Wahat Al Karama – Oazën e Dinjitetit, ku vendosi lule dhe nderoi dëshmorët dhe heronjtë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Presidenti Pendarovski vizitoi edhe Xhaminë e Madhe të Sheikh Zayed-it si një nga veprat arkitekturore impozante në EBA, në ndërtimin e së cilës janë përdorur edhe materiale nga Prilepi. Në të njëjtën kohë, Presidenti Pendarovski vizitoi edhe Shtëpinë e Familjes Avram, e cila me dizajnin dhe misionin e saj kap vlerat e përbashkëta të judaizmit, krishterimit dhe islamit dhe shërben si platformë dhe qendër edukative për mirëkuptim reciprok, pranim dhe tolerancë”, thuhet në deklaratë.
Sipas njoftimit, vizita e Pendarovskit në EBA është vizita e parë në nivel presidencial. Në kuadër të vizitës, si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme, u nënshkrua Memorandum për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe EBA-së.
Sipas Presidencës së Maqedonisë së Veriut, Pendarovski gjatë vizitës është i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elizabeta Gjorgievska. Pjesë e delegacionit zyrtar është edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.