Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.
Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.
Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit.
Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, që ka zgjatur deri pas orës 12:00.
Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës, shkruan REL.
As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve.
Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai, po ashtu, është paralajmëruar se do të zhvillojë takim me Lajçakun.
Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçaku do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.
I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.
Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.
Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.