RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përleshje të reja në Sudan pavarësisht armëpushimit

perleshje-te-reja-ne-sudan-pavaresisht-armepushimit

Përleshje të armatosura janë raportuar sërish midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në kryeqytetin Khartoum sot, thanë dëshmitarë, raporton Anadolu.

Dhuna vjen pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara midis dy rivalëve.

Përleshje dhe granatime të rënda u raportuan në disa lagje në Khartoumin jugor, thanë dëshmitarët.

Në Karari, në veri të qytetit Omdurman, u dëgjuan zhurma granatimesh artilerie.

Sipas dëshmitarëve, ushtria sudaneze mbylli urën Al-Fatihab në Nilin e Bardhë, që lidh Khartoumin dhe Omdurmanin.

Në një deklaratë, ushtria tha se forcat e saj zmbrapsën një sulm nga luftëtarët e RSF-së në qytetin El-Obeid.

Në deklaratë thuhet se forcat e RSF-së kanë pësuar humbje të mëdha në sulm.

Nuk kishte asnjë koment nga RSF-ja mbi këtë zhvillim.

Sipas mjekëve vendas, të paktën 863 civilë janë vrarë dhe 3.531 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit më 15 prill.

Luftimet në Sudan filluan pas një mosmarrëveshjeje në muajt e fundit midis ushtrisë dhe RSF-së rreth integrimit të grupit paraushtarak në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të vendit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, një lëvizje kjo e cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.

Periudha e tranzicionit e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024.

Related posts

Sondazhi italian: Të preferuar Shqipëria, Greqia dhe Egjipti

admin

Një vjet nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

RTI

“Cisternat greke vazhdojnë të transportojnë naftën ruse edhe gjatë luftës në Ukrainë”

admin