RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përleshjet në Sudan, shpërthim masiv në aeroportin e Khartumit

perleshjet-ne-sudan,-shperthim-masiv-ne-aeroportin-e-khartumit

Një zjarr masiv shpërtheu në aeroportin e Khartumit sot në vazhdën e përleshjeve midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), thanë dëshmitarët, transmeton Anadolu.

Sipas dëshmitarëve, zjarri shpërtheu pasi një predhë artilerie goditi cisternat e karburantit të avionëve në aeroport, duke shkaktuar shpërthim.

“Shpërthimi ishte i madh. Nuk ka ekipe zjarrfikëse për të shuar flakët”, tha një dëshmitar okular për Anadolu.

Nuk ka ende asnjë koment nga autoritetet e aeroportit për incidentin.

Të paktën 270 persona janë vrarë dhe 2.600 të tjerë janë plagosur në përleshjet e armatosura midis ushtrisë dhe luftëtarëve të formacionit paraushtarak RSF që nga e shtuna në Khartum dhe zonat përreth, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa RSF-ja akuzoi ushtrinë se kishte sulmuar forcat e saj në jug të Khartumit me armë të lehta dhe të rënda, ushtria tha se forca paraushtarake po “përhap gënjeshtra” dhe e shpalli atë grup “rebel”.

Një mosmarrëveshje midis ushtrisë dhe RSF-së në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake, e cila parashikon “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, shkaktoi rritje të tensioneve muajt e fundit.

Mosmarrëveshja midis dy palëve doli në sipërfaqe javën e kaluar, kur ushtria tha se veprimet e fundit nga RSF-ja kanë ndodhur pa koordinim dhe ishin të paligjshme.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, hap ky i cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.

Periudha e tranzicionit në Sudan, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024.

Related posts

Valery Gerasimov emërohet komandant i forcave ruse në Ukrainë

admin

Lajçakut i vazhdohet zyrtarisht mandati si emisar i dialogut deri në janar

admin

Kosova ftohet për herë të parë në Konferencën COP28

admin