RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut shkaktojnë 29 të vdekur në Nepal

permbytjet-dhe-rreshqitjet-e-dheut-shkaktojne-29-te-vdekur-ne-nepal

Të paktën 29 persona kanë humbur jetën në Nepal si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve që nga fillimi i sezonit të musonit në qershor, njoftoi agjencia shtetërore për menaxhimin e fatkeqësive, transmeton Anadolu.

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë tha se 13 persona kanë humbur jetën nga rrëshqitjet e dheut, 12 nga përmbytjet dhe katër nga reshjet e dendura të shiut që nga hyrja e musonit në Nepal. Më shumë se 30 persona janë plagosur.

Këtë vit, sezoni i musonit filloi në javën e tretë të qershorit, gjashtë ditë më vonë se zakonisht.

Nepali, një vend malor i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore, përballet me rrëshqitje dheu dhe përmbytje në zonat kodrinore, ndërsa pjesa jugore e vendit përballet me vërshime.

Rrugët dhe urat e mirëmbajtura dobët, si dhe mungesa e qasjes në sistemet e paralajmërimit të hershëm, konsiderohen si shkaktarët kryesorë të humbjes së jetëve dhe dëmeve materiale gjatë sezonit të reshjeve.

Sipas autoritetit, nga viti 2016 deri në vitin 2025, gjithsej 3.074 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, reshjeve të dendura dhe goditjeve nga rrufetë.

Policia e Nepalit njoftoi se 11 autostrada në mbarë vendin janë bllokuar për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë pa u konsultuar më parë.

Ekspertët e motit paralajmërojnë se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut mund të bëhen edhe më vdekjeprurëse në ditët në vijim.

“Meqenëse ekziston rrezik i lartë nga fatkeqësitë e lidhura me musonin, qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve, u kërkohet të qëndrojnë vigjilentë”, thuhet në njoftimin e lëshuar të hënën në mëngjes nga Departamenti i Hidrologjisë dhe Meteorologjisë.

Related posts

Borrell: BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë! Duhet garantuar që…

admin

Gjermania mirëpret armëpushimin 2-javor midis SHBA-së dhe Iranit

Kushtrim Guraj

Shirat e rrëmbyeshëm përmbytin tendat në Gaza, thellojnë krizën humanitare

admin