Numri i të vdekurve në protestat mbarëkombëtare në Peru të shkaktuara nga rrëzimi i ish-presidentit Pedro Castillo është rritur në 23, thanë autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Peruja ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare 30-ditore, ndërsa përleshjet mes policisë dhe protestuesve vazhdojnë në disa zona pas shkarkimit dhe arrestimit të Castillo-s më 7 dhjetor.
Të paktën 569 persona, përfshirë 216 pjesëtarë të forcave të sigurisë, janë plagosur në kryeqytetin Lima dhe rajone të tjera, duke përfshirë Apurimac, Ancash, Ayacucho, Cajamarca, Cusco, Moquegua dhe Puno, sipas Zyrës së Ombudsmanit të Perusë.
Protestat kanë qenë më të dhunshme në Ayacucho dhe Apurimac, të cilat së bashku përbëjnë 13 nga të gjitha viktimat e raportuara.
Koordinatori Kombëtar i Perusë për të Drejtat e Njeriut, një koalicion i grupeve të shoqërisë civile, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës kundër protestuesve, duke u kërkuar autoriteteve të kryejnë hetime të plota dhe të ndëshkojnë përgjegjësit.
Koalicioni fajësoi “autoritetet më të larta politike” të Perusë për gjakderdhjen dhe kërkoi t’i jepet fund ndërhyrjes së ushtrisë, pasi mijëra ushtarë janë mobilizuar në gjithë vendin pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e presidentes së re të Perusë, Dina Boluarte, shpërndarjen e parlamentit dhe një plan për zgjedhje të reja.
Ata po bëjnë gjithashtu presion për lirimin e menjëhershëm të Castillo-s, kurse thirrjet u rritën pasi Gjykata e Lartë vendosi të enjten se ai do të qëndrojë në paraburgim për 18 muaj pasi përballet me akuza për rebelim dhe komplot.