Në komunën e Gjakovës është përuruar sot impianti i ujërave të zeza, një investim afro 17 milionë eurosh.
Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se pas këtij impianti, do të vazhdohet tutje me punën për impiantin në Gjilan që do të kushtojë 23 milionë euro, në Mitrovicë për investim 40 milionësh dhe në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kap vlerën rreth 160 milionë euro.
“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kurti, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Për këtë projekt, Banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar me 6 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar edhe 3.2 milionë të tjera.