RTV AHIRETI
FeaturedFejaHistoriKosovëKulturëLajmeLajmet

Përurohet xhamia dhe mejtepi i Mulla Idriz ef. Gjilanit

perurohet-xhamia-dhe-mejtepi-i-mulla-idriz-ef.-gjilanit

Në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në nderim të kontributit fetar dhe atdhetar të Mulla Idriz ef. Gjilanit, sot, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, në fshatin Dunavë të Gjilanit, ka përuruar xhaminë dhe mejtepin e Mulla Idriz ef. Gjilanit, restauruar nga Ministria e Kulturës, respektivisht Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan.

Në këtë ceremoni qenë të pranishëm kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, përfaqësues të partive politike, bashkëfshatarë dhe familjarë të Mulla Idriz ef. Gjilanit.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, vlerësoi lart kontributin dhe angazhimin fetar dhe kombëtar të hoxhës. “Në kohën kur pushtuesi serb po tentonte ta zhdukte gjithçka që ishte shqiptare e islame , figurat e shquara shqiptare, u vunë në ballë për ta mbrojtur vendin dhe kombin tonë. Mulla Idriz ef. Gjilani, luftoi për kauzën e bashkimit kombëtar, për të cilën edhe ra heroikisht. Amanetin e tij dhe të atyre që ranë heroikisht në luftën e fundit, ne gjeneratat e reja duhet ta çojmë në vend” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Ministri Çeku tha se Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar për rikthimin në vendin e merituar të trashëgimisë kulturore islame. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtimin të madh dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës për restaurimin e objekteve fetare islame.”

Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni, tha se restaurimi i këtyre objekteve do t’ia kthejë hijeshinë këtij vendi dhe do ta bëjë atë qendër atraktive, ku qytetarët do ta vizitojnë dhe do të njihen me historikun dhe kulturën e vendit tonë.

Ndërkaq kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit Naim ef. Aliu, falënderoi Ministrinë e Kulturës për bashkëpunimin ne restaurimin e këtyre dy objekteve, duke potencuar faktin se, vetëm në Gjilan, nga Ministria e Kulturës janë restauruar tri objekte të trashëgimisë islame.

Në emër të familjes së Mulla Idriz ef. Gjilanit, foli djali i tij, Isa Hajrullahu, i cili falënderoi Këshillin e Bashkësinë Islame të Gjilanit dhe Ministrinë e Kulturës për restaurimin e këtyre dy objekteve.

Krejt në fund, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, ndau një mirënjohje për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, të cilën ia dhuroi Myftiu Naim ef. Tërnava.

Related posts

Procedohen pagesat për familjet e prekura nga vërshimet

admin

Kovaçevski i gatshëm ta sakrifikojë karrigen e kryeministrit!

rezart morina

Tërmeti në Afganistan, rritet mbi 2.000 numri i viktimave

rezart morina