RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Pesë denoncime ndaj profesorëve, UP-ja hulumton përmasën e ngacmimeve seksuale në ambientet akademike

pese-denoncime-ndaj-profesoreve,-up-ja-hulumton-permasen-e-ngacmimeve-seksuale-ne-ambientet-akademike

Universiteti i Prishtinës ka filluar ta realizojë një hulumtim, nëpërmjet të cilit synon ta sigurojë edhe informatën se në çfarë mase studentët përballen me ngacmime seksuale brenda ambienteve akademike. Studentët kanë bërë gjithsej pesë denoncime për profesorët, që nga viti 2021. Aktivistë studentorë dhe ata të shoqërisë civile thonë se këto shifra nuk e paraqesin gjendjen reale.
Gjithsej pesë denoncime janë bërë nga studentët ndaj profesorëve për ngacmim, përfshirë ato seksuale, që kur Universiteti i Prishtinës miratoi në 2021-n rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga këto veprimeve jo etike.

Nënkryetarja e Parlamentit Studentor, Albë Lala, tha se ka ngacmime të ndryshme në ambientet akademike dhe se këto raportime nuk tregojnë pasqyrën e vërtetë të situatës.

“Ne mendojmë që studentët hezitojnë t’i raportojnë rastet e tyre të ngacmimeve për arsye se mendojnë që profesorët mund t’iu hakmerren me notë ose gjatë procesit të notimit dhe vlerësimit të tyre përgjatë studimit”, tha Lala.

Edhe hulumtuesja e Institutit “EdGuard”, Arbisa Shefkiu, vlerëson se rregullorja nuk e ka prodhuar rezultatin e pritur.

“Konsideroj se nuk ka qenë mirë të informuar për këtë rregullore, ndoshta edhe numri i vogël i raportimeve e tregon këtë çështje për shkak se një formë e informimit përmes SEMS-it ose përmes një platforme ku ata kanë vetëm një qasje nuk është konsiderojë që është një informim i mirëfilltë”, tha Shefkiu.

Menaxhmenti i UP-së, bashkë me Parlamentin Studentor, ka nisur hulumtimin lidhur me përvojat e studentëve me ngacmimet dhe ngacmimet seksuale.

Në pyetësorë, studentëve u është kërkuar të tregojnë nëse u është bërë presion për t’u përfshirë në aktivitete seksuale në këmbim të përfitimeve akademike.

Prorektorja Njomza Llullaku tha se pyetjet janë përpiluar për të kuptuar mënyrën e të menduarit të studentëve, si dhe për të zbuluar formën e mbështetjes që ata kanë nevojë.

“Duke pasur parasysh se hulumtimi ynë është aktualisht në proces, ne kemi përfshirë pyetje që adresojnë forma të ndryshme të ngacmimit, si për shembull abuzimi psikologjik apo bullizmi. Prandaj, metodologjia jonë e orientuar nga evidencat empirike synon të zbulojë formën/llojin e mbështetjes për të cilët studentët mund të kenë nevojë, këto të cilat mund të përfshijnë këshillimin psikologjik, etj.”, tha Llullaku.

Në Zyrën për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi bënë të ditur se pesë nga raportimet e studentëve janë dërguar në Këshill të Etikës. Tri nga to janë ndaj profesorit tashmë të suspenduar në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, ndërsa për dy raportime të tjera nuk janë dhënë detaje, nën arsyetimin se për to ende nuk ka vendosur Këshilli i Etikës. Edhe në Këshill refuzuan të ofrojnë informacione për këto raste.

Related posts

Ndihmës sekretari amerikan: SHBA e mbështet Kosovën në atë çfarë po bën

admin

Kryeministri Rama takon Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe

rezart morina

Kurti takon ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së

admin