Kolonët, dhuna dhe projekti i dëbimit të një populli
Amira Hass, Internazionale
Dijeni se për çdo lajm që lexoni për një akt terrorist të kolonëve, ekuivalenti hebre i Ku Klux Klan-it kryen dhjetëra akte të tjera dhune, frikësimi dhe arbitrariteti, ndërsa ushtria izraelite i mbron.
Dijeni se këto sulme të burrave me fytyra të mbuluara nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një plani të mirëorganizuar. Qëllimi i tyre përfundimtar është një tokë e zbrazur nga palestinezët.
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis ngjarjeve të sotme dhe përvetësimit me forcë të tokave palestineze nga kolonët gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000.
Po aq e qartë është edhe lidhja mes apatisë së atëhershme dhe fatalizmit të sotëm, sikur këta njerëz të dhunshëm të ishin një murtajë biblike karkalecash dhe ne, izraelitët, të ishim të pafuqishëm përballë tyre.
Mos harroni se pas çdo burri të maskuar, të armatosur dhe me tzitzit (thekët ritualë që mbajnë hebrenjtë praktikues), qëndron një shoqëri e tërë e ngrohtë dhe mbështetëse: këshilla komunale të kolonive, rabinë, punonjës socialë dhe sinagoga.
Përqafimi i tyre shfaqet në formën e donacioneve në para dhe bagëti, furnizimit me ujë dhe mbështetjes logjistike, që u mundësojnë qindra “mollëve të kalbura” të ushtrojnë dhunë ndaj pleqve, të rinjve dhe fëmijëve, e më pas të pushtojnë tokat e tyre dhe të hyjnë në shtëpitë e njerëzve që kanë dëbuar.
Mos harroni se pas çdo sulmi, çdo shkatërrimi dhe çdo vjedhjeje bagëtish qëndrojnë policë që nuk denjojnë t’u përgjigjen thirrjeve për ndihmë të palestinezëve, si dhe ushtarë që mbërrijnë në vendngjarje për të arrestuar viktimat e sulmit, për t’i rrahur ose edhe për t’i vrarë.
Dhe pas gjithë kësaj qëndron një sistem drejtësie i përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk kanë ditur, nuk kanë parë dhe nuk kanë dëgjuar kurrë se çfarë ndodhte përreth tyre, ndërsa njëkohësisht kanë legalizuar kolonitë.
Ata rrinë në shtëpitë e tyre duke qarë – ose ndoshta jo – për fatin e demokracisë izraelite, por mjaftohen me karakterin e saj hebraik dhe gëzojnë praninë e nipërve e mbesave të tyre.
Çdo komunitet barinjsh palestinezë i dëbuar nga këto forca të errëta, ka luftuar për dekada me radhë kundër ndalimit për të jetuar me dinjitet, të imponuar nga qeveritë izraelite.
Por ishin zyrtarët e administratës civile izraelite, ata që hartuan urdhrat e prishjes për çdo tendë të re ose shtëpi të rikonstruktuar, për çdo lidhje të re me rrjetin e ujit apo të energjisë elektrike.
Ishin po ata që vendosën gjoba dhe ndëshkime ndaj atyre që kryenin “krimin” e transportimit të ujit me cisternë ose të nxjerrjes së bagëtive në kullotë. Sot, këta ish-zyrtarë rrinë në shtëpitë e tyre duke vajtuar – ose ndoshta jo – për demokracinë izraelite, ndërsa krenohen me fëmijët e tyre që shërbejnë në ushtrinë që vret palestinezë dhe libanezë.
Ndërsa çdo izraelit pi një birrë, punon në një studim mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike, planifikon një udhëtim në Romë, zgjedh cilin shalqi të blejë, rinovon abonimin e transportit publik ose grindet me shefin e vet, rreth tij po ndodh pikërisht ajo që nuk dëshiron ta dijë.
Në çdo moment, edhe pse mediat izraelite zgjedhin të mos e tregojnë dhe bota është e përqendruar diku tjetër, qeveria e Tel Avivit vazhdon luftën e saj në Gaza.
Ose, më saktë, në rreth një të tretën e 365 kilometrave katrorë të Rripit të Gazës, ku shteti që pretendon të përfaqësojë viktimat e Holokaustit ka grumbulluar dy milionë njerëz të shndërruar në të “vdekur” të gjallë.
Këta të “vdekur” të gjallë, ecin kilometra të tërë mes maleve të mbeturinave dhe pellgjeve me ujëra të ndotura për të sjellë pak ujë në tendat e tyre. Ecin me paterica dhe me gjymtyrë të prera për të marrë një kupon të Programit Botëror të Ushqimit.
I çojnë vajzat e tyre në ambulanca të improvizuara, me shpresën se dikush do të dijë si të trajtojë pleshtat, rriqrat dhe plagët e shkaktuara nga minjtë. Ndërsa luajnë muzikë, shkruajnë poezi ose mbjellin nenexhik e fasule mes tendave, zërat e të afërmve të tyre të vrarë duket sikur thërrasin nga nën rrënoja.
Dhe ndërkohë, të mbijetuarit vazhdojnë të vriten nga bombat. Vazhdoni të shtireni sikur habiteni: ekuivalenti hebre i Ku Klux Klan-it shpreson në një reagim palestinez ndaj dhunës së tij, në mënyrë që të justifikojë një fushatë vrasjesh masive në Bregun Perëndimor, dhe më pas dëbimin e të mbijetuarve drejt Jordanisë, Sirisë ose Libanit.
Ky “Klan” bardheblu e di se palestinezët janë të frikësuar dhe të zemëruar. E di gjithashtu se të dy udhëheqjet e tyre, të pazgjedhura në mënyrë demokratike, janë të përqendruara kryesisht në mbijetesën e vet.
Megjithatë, asnjë shtet nuk i ka vendosur Izraelit ultimatumin e nevojshëm për t’i dhënë fund këtyre pogromeve.
Atje ku Klux Klan-i hebre pret vetëm momentin kur ndonjë palestinez, i paaftë të durojë edhe më tej pafuqinë përballë një ligësie të tillë, të marrë armë, para dhe mbështetje nga Irani për t’u hakmarrë kundër shtetit hebre.
Atëherë shumica e shoqërisë izraelite do t’u bashkohet “heronjve” të Ku Klux Klan-it dhe ushtrisë, e cila do të kryejë pjesën më të madhe të vrasjeve dhe deportimeve, sepse, në fund të fundit, do të thuhet: Ne u sulmuam, ne jemi viktimat! /tesheshi

