Policia e Kosovës ka bastisur dy shtëpi, një në Prizren dhe një në Suharekë, ku ka gjetur dhe sekuestruar armë të llojeve të ndryshme.
Sipas raportit policor, në Suharekë është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull me shtetësi të Kosovës ku është gjetur një pushkë automatike, një pushkë gjysmëautomatike, qindra fishekë dhe pajisje tjera për armë.
“Fsh. Vraniq, Suharekë 09.01.2024 – 09:00. Raportohet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike AK-47 kal.7.62x39mm, tre karikatorë të pushkës automatike, një pushkë gjysmë automatike kal.7.62-dhjetëshe me dylbi si dhe dyqind e nëntë (209) fishekë kal. 7.62 mm. Pas intervistës në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në rastin e dytë në Prizren, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, po ashtu mashkull me shtetësi të Kosovës, policia ka gjetur pushkë, snajper,pistoletë e municion të ndryshëm.
“Rr. Mithat Frashëri, Prizren 09.01.2024 – 15:30. Raportohet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike, një pushkë me snajper, një pushkë e gjuetisë, tre pistoleta dhe një sasi e municionit”, thuhet në njoftimin e Policisë.