Ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Mariusz Blaszczak u bë objektiv i kritikave pas zbuloi dokumente “shumë sekrete” lidhur me ushtrinë e vendit për fushatën zgjedhore, transmeton Anadolu.
Nga llogaria e tij në median sociale X, ministri Blaszczak ndau një video që tregon dokumente se qeveria e mëparshme kishte planifikuar mbrojtjen e Polonisë vetë nga pika ku ndodhet lumi Vistula i cili kalon në Varshavë.
Duke ndarë edhe fotografi që tregojnë planet e Forcave të Armatosura të Polonisë të nënshkruara nga ministri i Brendshëm i periudhës Bogdan Klich dhe të cilat tregojnë anën e përparme të dokumentit me etiketimin “shumë sekrete”, Blaszczak ka pretenduar se qeveria e mëparshme ishte e gatshme të jepte gjysmën e Polonisë në rast lufte.
Zëdhënësi i Platformës Civile të partisë kryesore opozitare, Jan Grabiec në një deklaratë për “Radio Zet” që transmeton në Poloni tha se “Dokumentet e zbuluara nga ministri Blaszczak janë dokumente të përgatitura nga Shtabi i Përgjithshëm”.
“Dokumente të tilla nuk duhet të zbulohen kurrë. Përdorimi i dokumenteve të përpiluara duke u konsultuar me NATO-n, e bën sot Poloninë plotësisht të pabesueshëm si një aleat i NATO-s. Si mund të zbulohen dokumentet e mbrojtjes së brendshme si pjesë e në fushate zgjedhore?”, theksoi Grabiec.
Blaszczak, në një postim nga llogaria e tij X në përgjigje ndaj kritikave tha se “Opozita kryesore kundërshton zbulimin tonë të planeve të tyre për t’i dhënë armikut gjysmën e Polonisë. Polakët kanë të drejtë të dinë se çfarë fati keni përgatitur për ta! Ushtria e Polonisë duhet të luftojë për çdo metër të territoreve dhe për jetën e çdo njeriu në rast të një konflikti. Ju keni dashur ta bëni Varshavën një qytet fronti”.
Agjencia e lajmeve PAP e Polonisë vuri në dukje se Platforma Civile do të bëjë ankesë në Gjykatën Shtetërore ndaj ministrit Blaszczak.
Gjykata Shtetërore në Poloni është në pozicionin e autoritetit vendimmarrës rreth përgjegjësive kushtetuese të njerëzve në poste shtetërore. Në Poloni vazhdon fushata para zgjedhjeve parlamentare dhe referendumit me 4 pyetje që do të mbahet më 15 tetor.