RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Polonia do të përforcojë kufirin e saj lindor pas pranisë së grupit “Wagner” në Bjellorusi

polonia-do-te-perforcoje-kufirin-e-saj-lindor-pas-pranise-se-grupit-“wagner”-ne-bjellorusi

Zëvendëskryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski të mërkurën bëri të ditur planet e qeverisë për të përforcuar kufirin e saj lindor për shkak të pranisë së grupit paraushtarak rus “Wagner” në Bjellorusi, raporton Anadolu.

Pas takimit të Komitetit të Sigurisë, Kaczynski, i cili është gjithashtu kreu i partisë polake në pushtet Ligj dhe Drejtësi, tha se në vendin fqinj mund të ketë deri 8.000 luftëtarë të “Wagner”-it.

“Duke u nisur nga kjo, morëm vendim të forcojmë mbrojtjen e kufirit lindor të Polonisë”, tha Kaczynski. Ai theksoi se masat do të përfshijnë përforcimin e forcave polake të stacionuara pranë kufirit dhe ndërtimin e barrierave në rajon.

Kaczynski tha se prania e grupit mercenar në Bjellorusi është rrezik jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet fqinje si Lituania dhe Polonia. Ai tha se prania e grupit “Wagner” në Bjellorusi mund të sinjalizojë një fazë të re të luftës hibride.

Themeluesi i kompanisë private të sigurisë, Yevgeny Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e një sulmi ndaj “Wagner”-it dhe kërcënoi me hakmarrje. Luftëtarët e “Wagner”-it u larguan nga Ukraina dhe hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) hapi një çështje penale kundër Prigozhinit dhe luftëtarëve të “Wagner”-it me akuzën për “trazira të armatosura”, ndërkaq presidenti rus Vladimir Putin veprimet e “Wagner”-it i quajti “tradhti”.

Prigozhin fillimisht planifikoi të drejtonte luftëtarët e tij në një marshim drejt Moskës, duke nxitur masa të shtuara sigurie.

Megjithatë, ata u kthyen pranë kryeqytetit për të shmangur gjakderdhjen.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se ai zhvilloi bisedime me Prigozhinin pasi mori pëlqimin e Putinit dhe se Prigozhin pranoi marrëveshjen për uljen e tensioneve.

Related posts

Numri i azilkërkuesve në BE pëson rënie të lehtë! Gjermania, aplikime rekord! Ja nga kush vende vijnë emigrantët

admin

Vizita e Putin, Xi Jinping: Kina do të luajë rol në paqen evropiane

admin

Gërvalla dhe Fajon diskutojnë për njohjen reciproke të patentë shoferëve

RTI