Ministria e Mbrojtjes e Polonisë po përgatit një projektligj të ri që synon të rrisë gatishmërinë e shtetit për përballimin e një situate të rënduar të sigurisë, përpara se të shpallet zyrtarisht gjendja e luftës. Sipas raportimeve, projektligji është aktualisht në fazën e konsultimeve.
Nisma parashikon mundësinë e koordinimit më të shpejtë të strukturave të mbrojtjes dhe vendosjen më herët të trupave polake dhe aleate. Gjithashtu, planet kombëtare të mbrojtjes do të përshtaten me mekanizmat dhe procedurat e NATO-s.
Projektligji synon gjithashtu të krijojë kushte për përgatitjen e infrastrukturës kritike dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore në rast të rritjes së nivelit të kërcënimit.
Në praktikë, masat do t’u mundësonin institucioneve shtetërore dhe strukturave të mbrojtjes të ndërmarrin hapa përgatitorë përpara se situata të arrijë nivelin që do të kërkonte shpalljen formale të gjendjes së luftës.

