RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Popullsia e Japonisë shënon rënie rekord në vitin 2022

popullsia-e-japonise-shenon-renie-rekord-ne-vitin-2022

Japonia në vitin 2022 ka shënuar një rënie rekord prej gjysmë milioni banorësh në popullsinë e saj tashmë në pakësim, duke regjistruar vitin e 12-të radhazi në rënien e popullsisë, transmeton Anadolu.

Duke cituar të dhënat e qeverisë japoneze, ‘Kyodo News’ me bazë në Tokio tha se popullsia e vendit u pakësua për 556 mijë banorë në vitin 2022 duke shkuar në 124,9 milionë, me çka numri i shtetasve japonezë regjistroi rënie rekord që nga mbledhja e të dhënave të popullsisë në vitin 1950.

Tendenca alarmante sugjeron një nevojë të menjëhershme që Tokio të krijojë një sistem social për të përballuar sfidën e dyfishtë të nivelit në rënie të lindjeve dhe popullsisë në plakje.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, të gjitha 47 provincat e Japonisë, përveç Tokios, shënuan rënie të numrit të banorëve në baza vjetore.

Popullsia e provincës Okinawa, e cila përfshin mbi 150 ishuj, u pakësua me 0,01 për qind, respektivisht hera e parë që shënon rënie që nga kthimi i saj në sundimin japonez në vitin 1972.

Vendi gjithashtu shënoi një rënie të popullsisë së punës apo personave të moshës 15-64 vjeç, respektivisht për 296 mijë banorë, duke shkuar në gjithsej 74,2 milionë. Ky grup përbën 59,4 për qind të popullsisë.

Të dhënat tregojnë se personat 14 vjeç dhe më poshtë përbëjnë një nivel të ri të ulët historik prej 11,6 për qind të popullsisë totale, ndërsa personat 65 vjeç e më lart përbëjnë një rekord prej 29 për qind.

Rënia e natalitetit

Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Japonia regjistroi rënien më të madhe të lindjeve të reja, me numrin e foshnjave që ra nën 800 mijë për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1899.

Viti i kaluar po ashtu ishte viti i shtatë radhazi që numri i foshnjave të lindura në Japoni vijoi të bjerë. Të dhënat treguan se numri i lindjeve ra me 5,1 për qind në 799.728.

“Pa përfshirë fëmijët e lindur nga prindër të huaj, numri i përafërt i lindjeve vlerësohet të jetë rreth 770 mijë”, theksuan të dhënat.

Numri i vdekjeve po ashtu shënoi një rekord prej 1.582.033, respektivisht 129.744 vdekje më shumë se viti paraprak.

Që nga viti 1973, kur numri i lindjeve të reja arriti kulmin në rreth 2,09 milionë, Japonia ka parë një rënie në numrin e lindjeve të reja.

Një dekadë më vonë, në vitin 1984, lindjet e reja në Japoni ranë në 1,5 milionë. Në vitin 2016 pati më pak se 1 milion foshnja të reja të lindura.

Janarin e kaluar, kryeministri japonez, Fumio Kishida, tha se qeveria e tij do t’i japë përparësi politikave që synojnë lehtësimin e rritjes së fëmijëve, që është “investimi më efektiv për të ardhmen”.

Kishida paralajmëroi se kombi prej rreth 126 milionë banorësh, i cili gjithashtu po përballet me një popullsi të plakur, ishte në “prag të humbjes së funksionit të tij social për shkak të rënies së shpejtë të nivelit të lindjeve”.

Related posts

Partitë populiste drejtojnë Europën, 1 në 3 persona votojnë ekstremet

admin

Biden njofton kandidaturën për president

admin

Pakistan, shpërthejnë protesta pas atentatit ndaj ish-kryeministrit Imran Khan

admin