Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, është pritur sot në takim nga presidentja Vjosa Osmani.
Pas këtij takimi në një konferencë të përbashkët, Power ka thënë se kishte një diskutim produktiv me presidenten Osmani, derisa e quajti presidenten frymëzim jo vetëm për gratë dhe vajzat e Kosovës por për gratë dhe vajzat kudo në botë.
Shefja e USAID-it ripërsëritur sërish që Kosova dhe Serbia duhet të intensifikojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve.
“Biseduam edhe për përparimin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Kompleksitetin e këtij procesi të gjithë e kanë parasysh. Kam dëgjuar vazhdimisht që kosovarët besojnë që kjo është rruga e duhur që duhet të vijojë vendi i tyre.
Në takimet me kryeministrin dhe presidenten e kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për normalizim, dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që të shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi sepse çdo përparim në këtë drejtim do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve”, tha Power.
Ajo shtoi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i kontribuonte këtij procesi.
“Me themelimin e Asociacionit kjo do ti ndihmoj normalizimit të raporteve”, tha Power.
Power më tej shtoi se Kosova ka ndryshuar aq shumë që nga hera e fundit që kishte qenë ajo në vitin 1999.
“Është vështirë që të gjej fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova prej që kam qenë këtu herën e fundit në vitin 1999. Është një Kosovë e ndryshme nga ajo që kam parë herën e fundit, e kjo ka ndodhur si rezultat i në vendosmërie të hekurt të popullit të këtij vendi. Po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj, ky vend i ri ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe”, tha Power.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, tutje tha se miqësia e lidhjet mes Kosovës dhe SHBA janë të thella dhe “në të gjithë në administratën e Biden e vlerësojmë”.