Qeveritë perëndimore janë nën presion në rritje për ta ndaluar shitjen e armëve për Izraelin për shkak të mënyrës se si është duke e zhvilluar luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Izraeli është eksportues i madh i armëve, por ushtria e tij ka qenë shumë e varur nga avionët e importuar, bombat dhe raketat e kontrolluara, për ta kryer atë që ekspertët e kanë përshkruar si një nga fushatat ajrore më intensive dhe shkatërruese në historinë e kohëve të fundit.
Grupet e fushatës dhe disa politikanë në mesin e aleatëve perëndimorë të Izraelit thonë se eksporti duhet të pezullohet sepse, siç thonë ata, Izraeli është duke dështuar të ndërmarrë masa për t’i mbrojtur jetët e civilëve dhe për t’u siguruar që ndihmat humanitare të arrijnë tek ata.
Të premten e javës që shkoi, Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka mbështetur ndalimin e eksportit të armëve në Izrael, me 28 vende që kanë votuar pro, gjashtë kundër dhe 13 kanë abstenuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania – të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të importeve të armëve në Izrael – kanë votuar kundër. Gjermania ka thënë se e ka votuar kundër kësaj sepse rezoluta nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite Hamasin.
Lufta ishte nisur për shkak të sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili la të vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, sipas llogaritjeve të Izraelit. Më shumë se 33.000 njerëz janë vrarë në Gaza, 70% e tyre fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Izraeli insiston se forcat e tij janë duke punuar për t’i shmangur viktimat civile, derisa e akuzon Hamasin për vendosjen e qëllimshme të civilëve në zonat e zjarrit dhe ka thënë se nuk ka kufizime sa i përket dërgimeve të ndihmave.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
SHBA-ja deri më tash është furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin, duke e ndihmuar atë të ndërtojë një nga ushtritë më të sofistikuara në aspektin teknologjik në botë.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA-ja ka përbërë 69% të importit të armëve kryesore konvencionale të Izraelit mes viteve 2019 dhe 2023.
SHBA-ja i siguron Izraelit 3.8 miliardë dollarë ndihma vjetore ushtarake nën një marrëveshje 10-vjeçare, e cila synon ta lejojë aleatin e saj ta ruajë atë që e quan “përparësi ushtarake cilësore” ndaj vendeve fqinje.
Izraeli i ka përdorur këto grante për të financuar porosinë e “F-35 Joint Strike Fighters”, avion luftarak i konsideruar si më i avancuari ndonjëherë. Deri më tash ka porositur 75 avionë të tillë dhe ka kryer porosinë për rreth 30 të tjerë. Ishte vendi i parë pas SHBA-së që ka marrë këtë lloj avioni dhe i pari që e ka përdorur atë në betejë.
Një pjesë e ndihmës – 500 milionë dollarëshe në vit – është lënë anash për t’i financuar programet e mbrojtjes raketore, duke përfshirë sistemet e zhvilluara së bashku: “Iron Dome”, “Arrow” dhe “David’s Sling”. Izraeli është mbështetur në këto sisteme gjatë luftës për ta mbrojtur veten nga sulmet me raketa, predha dhe dronë nga grupet e armatosura palestineze në Gaza, si dhe grupet e tjera të armatosura të mbështetura nga Irani në Libi, Siri, Irak dhe Jemen.
Në ditët pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se SHBA-ja ishte “duke rritur ndihmat shtesë ushtarake” për Izraelin.
Që nga fillimi i luftës, vetëm dy shitje ushtarake amerikane për Izraelin janë bërë publike pas marrjes së miratimit emergjent – njëra për 14 mijë fishekë të municioneve të tankeve me vlerë 106 milionë dollarë dhe një tjetër me përbërës për predha artilerie 155 mm me vlerë 147 milionë dollarë.
Por mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Joe Biden gjithashtu ka realizuar më shumë se 100 shitje të tjera ushtarake për Izraelin të cilat nuk janë bërë publike. Shumica prej tyre nën vlerën që kërkohet për t’u njoftuar zyrtarisht Kongresi. Këto shitje thuhet së përfshijnë mijëra municione precize, bomba të diametrit të vogël, shkatërrues të bunkerëve dhe armë të vogla.
Megjithatë, raporti i SIPRI-t thotë se pavarësisht dërgesave, sasia totale e armëve të importuara nga Izraeli prej SHBA-së në vitin 2023 ka qenë gati e njëjtë me atë të vitit 2022.
Një marrëveshje që është aq e madhe sa të duhej njoftimi i Kongresit është shitja 18 miliardë dollarëshe e rreth 50 avionëve luftarakë F-15, lajmet për të cilën kanë dalë këtë javë. Kongresi nuk e ka aprovuar akoma marrëveshjen.
Edhe pse avionët do të duhej të ndërtoheshin nga fillimi dhe nuk do të dërgoheshin menjëherë, shitja e tyre pritet të jetë shumë e debatuar nga Partia Demokratike e Bidenit, ku shumica e përfaqësuesve të saj në Kongres dhe mbështetësit e saj janë gjithnjë e më të shqetësuar nga veprimet e Izraelit në Gaza.
Senatorja Elizabeth Warren ka thënë se ajo është e gatshme ta bllokojë marrëveshjen dhe e ka akuzuar Izraelin për “bombardime pa dallim” në Gaza.
Gjermania
Gjermania është eksportuesi tjetër më i madh i armëve në Izrael, duke përbërë 30% të importeve mes viteve 2019 dhe 2023, sipas SIPRI-t.
Në vitin 2023, shitjet e armëve të kombit evropian në Izrael kishin vlerë 326.5 milionë euro – rritje e 10-fishuar në krahasim me vitin 2022 – me shumicën e këtyre licencave të eksportit të lëshuara pas sulmeve të 7 tetorit.
Qeveria gjermane ka thënë në janar se shitjet kanë përbërë pajisje ushtarake me vlerë prej 306.4 milionë euro dhe “armë të luftës” me vlerë prej 20.1 milionë euro.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, kjo e fundit ka përfshirë 3.000 armë antitanke dhe 500 mijë fishekë për armë zjarri automatike ose gjysmë automatike. Ajo gjithashtu ka thënë se shumica e licencave të eksportit ishin lëshuar për automjete tokësore dhe për teknologjinë e zhvillimit, montimit, mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka qenë mbështetës i palëkundur i së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje gjatë gjithë luftës dhe, edhe pse toni i tij mbi veprimet izraelite në Gaza ka ndryshuar gjatë javëve të fundit dhe ka pasur disa debate në Gjermani, shitja e armëve nuk duket të jetë në rrezik të pezullohet.
Italia
Italia është eksportuesi i tretë më i madh për Izraelin, por përbën vetëm rreth 0.9% të importimeve të Izraelit mes viteve 2019 dhe 2023. Sipas raportimeve këto kanë përfshirë helikopterë dhe artileri detare.
Shitjet e “armëve dhe municioneve” kanë arritur vlerën 13.7 milionë euro vitin e kaluar, ka raportuar revista e pavarur italiane “Altreconomia” duke e cituar byronë kombëtare të statistikave ISTAT.
Rreth 2.1 milionë e vlerës së eksporteve janë aprovuar mes tetorit dhe dhjetorit të kaluar, pavarësisht garancive të qeverisë se ishte duke i bllokuar ato sipas ligjit që e ndalon shitjen e armëve për vendet që kanë nisur luftë ose që konsiderohet se shkelin të drejtat e njeriut.
Ministri i mbrojtjes, Guido Crosetto, i ka thënë parlamentit muajin e kaluar se Italia kishte respektuar kontratat ekzistuese pasi i ka kontrolluar ato rast pas rasti dhe ishte e siguruar se “nuk kishin të bënin me materiale që mund të përdoreshin kundër civilëve”.
Vendet e tjera
Eksportet e mallrave ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Izraelin janë “relativisht të vogla”, sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, duke arritur vlerën e vetëm 42 milionë funteve në vitin 2022.
Sipas grupit Fushata Kundër Tregtisë së Armëve (CAAT), që nga viti 2008 Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar licenca për eksportin e armëve për Izraelin me vlerë prej 574 milionë funte në total.
Shumica e tyre janë për komponentët e përdorur në avionët luftarakë të prodhuar në SHBA që pastaj përfundojnë në Izrael. Por qeveria britanike është duke u vënë nën presion për t’i pezulluar edhe ato eksporte.
Kryeministri Rishi Sunak ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka një “regjim shumë të kujdesshëm të licencimit të eksportit” dhe ka thënë gjithashtu se Izraeli duhet të “veprojë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është duke e përgatitur një vlerësim që do të këshillojë mbi rrezikun e shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga Izraeli në veprimet e tij nga fillimi i vitit 2024.
Qeveria e Kanadasë, shitjet e armëve për Izraelin, të së cilës kishin vlerë prej 21.3 milionë dollarësh kanadezë në vitin 2022, ka thënë në janar se e ka pezulluar aprovimin e lejeve të reja të shitjes derisa të sigurohej se ato janë duke u përdorur në përputhje me ligjin kanadez. Megjithatë, lejet e mëparshme mbetën në fuqi.
Industria e mbrojtjes izraelite
Izraeli gjithashtu ka zhvilluar industrinë e vet të mbrojtjes me ndihmën e SHBA-së dhe tani renditet si eksportuesi i nëntë më i madh i armëve në botë, me fokus në produktet e avancuara teknologjike dhe jo në pajisjet e shkallës më të gjerë.
Izraeli ka mbajtur një pjesë prej 2.3% të shitjeve globale mes viteve 2019 dhe 2023, sipas SIPRI-t, me Indinë (37%), Filipinet (12%) dhe SHBA-në (8.7%) si tre përfitues kryesorë. Shitjet kishin vlerë prej 12.5 miliardë dollarë në vitin 2022, sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes.
Avionët pa pilotë (UAV) kanë përbërë 25% të eksporteve, duke u pasuar nga predhat, raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore (19%) dhe radarët dhe sistemet elektronike të luftës (13%), ka bëtë të ditur ministria.
Në shtator, pak para fillimit të luftës, Gjermania është pajtuar për një marrëveshje prej 3.5 miliardë dollarësh me Izraelin për ta blerë sistemin e sofistikuar të mbrojtjes raketore “Arrow 3”, e cila kap raketa balistike me rreze të gjatë. Marrëveshja – më e madhja ndonjëherë e Izraelit – është dashur të miratohej nga SHBA-ja, sepse sistemin e kishin zhvilluar së bashku.
Stoqet ushtarake amerikane në Izrael
Në Izrael gjithashtu ndodhet një depo e madhe armësh amerikane e ndërtuar në vitin 1984 për t’i paravendosur furnizimet për trupat e tij në rast të një konflikti rajonal, si dhe për t’i dhënë qasje të shpejtë në armë në raste urgjente.
Pentagoni ka dërguar rreth 300 mijë predha artilerie 155 mm nga municionet e rezervës së luftës në Izrael, në Ukrainë pas fillimit të pushtimit rus.
Depoja thuhet se është furnizuar me municione edhe pas fillimit të luftës në Gaza.
Përgatiti: Latra Gashi /koha.net