Presidenti i SHBA-së Joe Biden u takua sot me kryeministrin japonez Kishida Fumio në Tokio përpara samitit të G7-s për të diskutuar një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare, me fokus Kinën, transmeton Anadolu.
Gjatë një takimi që zgjati më shumë se një orë, dy liderët ranë dakord të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve që lidhen me Kinën, thuhet në një deklaratë nga Ministria e Jashtme japoneze.
“Të dy liderët konfirmuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Kinën për sfidat e përbashkëta. Për më tepër, dy udhëheqësit përsëritën rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ngushticën e Tajvanit dhe inkurajuan zgjidhjen paqësore të çështjeve rreth ngushticës”, thuhet në deklaratë.
Biden, i cili arriti në Japoni sot për të marrë pjesë në samitin e G7-s, përsëriti “angazhimin e Washingtonit për mbrojtjen e Japonisë sipas Traktatit të Bashkëpunimit dhe Sigurisë së Ndërsjellë, mbështetur nga gama e plotë e aftësive, përfshirë ato bërthamore”.
Të dyja palët, thuhet më tej në deklaratë, ranë dakord për vazhdimin e punës së ngushtë drejt “denuklearizimit të plotë të Koresë së Veriut në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për forcimin e parandalimit rajonal”.
Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, të dy aleatët ranë dakord për vazhdimin e “sanksioneve të ashpra kundër Moskës dhe mbështetjes së fortë për Ukrainën në koordinim të ngushtë me G7-n dhe vendet e tjera me të njëjtin mendim”.