RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti iranian: Bota po ndryshon, epoka e hegjemonisë perëndimore ka përfunduar

presidenti-iranian:-bota-po-ndryshon,-epoka-e-hegjemonise-perendimore-ka-perfunduar

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka deklaruar se “bota po ndryshon” mes shfaqjes së një rendi të ri ndërkombëtar dhe se “rruga është e pakthyeshme”, raporton Anadolu.

Raisi, i cili mbërriti në New York të hënën, përdori platformën e konferencës vjetore kryesore të liderëve botërorë për të sulmuar politikat e kundërshtarëve të Iranit, SHBA-në dhe aleatët perëndimor të saj.

Mbi 140 liderë dhe përfaqësues botërorë po marrin pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti.

Raisi tha se politika perëndimore e dominimit “nuk është më një përgjigje për botën” dhe rendi i vjetër liberal që u shërbeu elitave në pushtet dhe kapitalistëve gjithashtu është braktisur.

“Projekti për amerikanizimin e botës ka dështuar”, pohoi ai, duke shtuar se “rezistenca dhe ndërgjegjësimi” i kombeve është rritur më shumë se kurrë.

Duke kritikuar shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, presidenti iranian tha se Perëndimi po përballet me një krizë identiteti, pasi e sheh botën si “xhungël” dhe veten si “kopsht”.

Më tej, ai tha se demokracia perëndimore “ka arritur në fund të rrugëtimit të saj” dhe popujt e Azisë Perëndimore e dinë “kuptimin e vërtet” të demokracisë perëndimore, “grusht shtet, pushtim dhe luftëra”.

Raisi theksoi se vendi i tij mbron politikën e “konvergjencës ekonomike brenda rajonit dhe në mbarë botën” dhe është i interesuar të “ndër-veprojë me botën bazuar në drejtësi”.

“Shkolla që donte të ishte një model për botën është bërë një mësim dhe është afër fundit të rrugëtimit të saj”, tha ai, duke iu referuar demokracisë perëndimore.

Më tej, presidenti iranian dënoi rastet e fundit të përdhosjes së Kuranit në disa vende evropiane, duke theksuar se mësimet kuranore “nuk do të digjen kurrë”.

Ai dënoi aktet islamofobike në Suedi dhe ndalimin e vajzave të veshura me hixhab në shkollat e Francës, duke theksuar se Kurani i fton njerëzit drejt “natyrës shpirtërore, të vërtetës dhe moralit”.

“Bota po përjeton ndryshime të paprecedentë. Çfarë ka më mirë se fjala e Zotit që mund të përcaktojë vlerat njerëzore”, u shpreh Raisi, duke kërkuar nga OKB-ja që të parandalojë fyerjet ndaj librit të shenjtë musliman.

“Ne besojmë se respekti për fetë hyjnore duhet të përfshihet në agjendën ndërkombëtare dhe OKB-ja duhet të garantojë respektimin e feve hyjnore duke hartuar një mekanizëm”, tha ai.

Presidenti iranian iu referua edhe asaj që ai e quajti “luftë kundër (institucionit të) familjes”, duke pohuar se edukimi dhe zhvillimi “mund të arrihen vetëm brenda kornizës së familjes”.

“Familja është institucioni më natyror njerëzor që sot është nën kërcënim. Sulmi ndaj strehës natyrore të qenies njerëzore, familjes, është krim kundër njerëzimit”, theksoi ai.

Ai gjithashtu komentoi protestat mbarëkombëtare të vitit të kaluar në Iran, të cilat u shkaktuan nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini derisa ishte në paraburgim policor dhe që çuan në një periudhë të gjatë trazirash në vend.

Raisi tha se kombi iranian vitin e kaluar ishte “objektivi i luftës më të madhe mediatike dhe psikologjike” dhe disa vende perëndimore dhe agjencitë e tyre të inteligjencës “kanë bërë një llogaritje të gabuar”.

16 shtatori shënoi përvjetorin e parë të vdekjes së 22-vjeçares iraniane, ndërsa SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) vendosën sanksione të reja lidhur me të drejtat e njeriut ndaj individëve dhe institucioneve iraniane.

Raisi tha se Republika Islamike ka qenë nën sanksione për 45 vitet e fundit, që nga revolucioni iranian i vitit 1979, por politika e sanksioneve ka “dështuar” dhe kombi iranian ka “fituar”.

Ai gjithashtu komentoi luftën e zgjatur në Ukrainë, duke theksuar se vendi i tij “nuk e mbështet luftën askund”. Ai tha se refuzimi i çdo plani të paqes nga SHBA-ja sugjeron se ajo ka një plan afatgjatë për pasigurinë e Evropës, si dhe shtoi se Irani nuk e sheh luftën në Evropë në interesin e askujt.

Në ngecjen midis Teheranit dhe Washingtonit për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Raisi tha se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja shumëpalëshe ishte një “krim i njëanshëm” dhe më tej kritikoi vendet evropiane për dështimin në respektimin e angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes.

Megjithatë, Raisi shtoi se përmes ndërtimit të besimit SHBA-ja duhet të provojë se ka qëllime të mira dhe një vullnet të vërtet për të përmbushur angazhimet dhe për të finalizuar rrugën. Ai i referohej marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve, të cilën shumë vëzhgues e shohin si një aluzion për bisedimet e ardhshme midis dy palëve.

Ai gjithashtu dënoi vendimin e Evropës për mos heqjen e sanksioneve raketore dhe bërthamore ndaj Iranit që përfundojnë në tetor të këtij viti dhe theksoi se evropianët “do të humbasin duke përshpejtuar në rrugën e kushtueshme të konfrontimit”.

Ai shtoi se Irani ka “mundësi unike investimi” dhe angazhimi në bashkëpunim ekonomik me vendin e Gjirit Persik është një mundësi për vendet në rajon dhe në botë.

“Politika e fqinjësisë së Republikës Islamike të Iranit është një politikë dashamirëse për rajonin dhe bazuar në këtë bashkëpunimi ekonomik është në krye të agjendës rajonale”, tha presidenti iranian, duke shtuar se Republika Islamike “shtrëngon ngrohtësisht çdo dorë që shtrihet për miqësi”.

Related posts

Paralajmërimet për hakmarrje pas sulmit në ambasadë, ushtria izraelite: Jemi gati dhe mund ta përballojmë kërcënimet nga Irani

admin

Palestinezët në Rafah ‘jetojnë në struktura të ngjashme me serrat’ ndërsa temperaturat rriten

admin

Blinken: SHBA-ja do t’i mbrojë Filipinet nëse sulmohen

admin