Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha të premten se lufta me SHBA-në duhet të marrë fund ndërsa Irani ndodhet në një pozitë “fuqie dhe dinjiteti”, teksa mbrojti marrëveshjen e fundit të Teheranit me Washingtonin, transmeton Anadolu.
Duke folur në një aktivitet, Pezeshkian tha se rezultati i negociatave ishte një “arritje e madhe”, miratuar nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit, sipas një deklarate të Presidencës iraniane.
“Ajo që u arrit gjatë negociatave ishte një sukses i madh”, tha ai, duke shtuar se anëtarët e këshillit që ishin të përfshirë drejtpërdrejt e mbrojtën me vendosmëri atë.
Pezeshkian e cilësoi marrëveshjen e fundit si “të nderuar dhe me vlerë”, duke hedhur poshtë kritikat se Teherani kishte bërë lëshime.
“Ata nuk mund të gjejnë as edhe një klauzolë të vetme në këtë marrëveshje që të tregojë dorëzim; të gjitha angazhimet lidhen me palën tjetër”, tha ai.
Presidenti iranian theksoi, megjithatë, se marrëveshja nuk do të thotë se Teherani do të dorëzohet në rast të një sulmi tjetër.
“Në asnjë rrethanë nuk do t’i nënshtrohemi bullizmit. Do t’u qëndrojmë përballë deri në frymën e fundit dhe do t’u japim një përgjigje shkatërruese”, tha ai.
Pezeshkian tha se lufta duhet të përfundojë në një moment, duke argumentuar se rrethanat aktuale ofrojnë një mundësi të përshtatshme.
“Është më mirë ta përfundojmë luftën sot, kur jemi në një pozitë fuqie dhe dinjiteti”, tha ai, duke argumentuar se SHBA-ja ka shkelur rregullat ndërkombëtare duke sulmuar shkolla, spitale dhe infrastrukturë në Iran.
Ai tha se komandantët ushtarakë dhe forcat e armatosura të Iranit mbeten plotësisht të gatshme për të mbrojtur vendin, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit të brendshëm.
Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me 14 pika në Islamabad më 18 qershor, nën ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, i cili parashikon përfundimin e luftës dhe një periudhë 60-ditore negociatash drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Teherani më vonë akuzoi Uashingtonin për shkeljen e memorandumit, ndërsa Pakistani dhe Katari kanë vazhduar ndërmjetësimin mes dy palëve.

