RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti iranian: Nëse Iz’raeli hakmerret, përgjigja do të jetë më e ashpër

presidenti-iranian:-nese-iz’raeli-hakmerret,-pergjigja-do-te-jete-me-e-ashper

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Irani dëshiron paqe, por do të përgjigjet ashpër nëse Izraeli hakmerret për sulmin raketor nga Teherani, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Doha, ku mori pjesë në Samitin e Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik (ACD), presidenti Pezeshkian tha se “nëse Izraeli kundërpërgjigjet, përgjigja jonë do të jetë edhe më e ashpër”.

“Ne jemi absolutisht kundër gjakderdhjes. Ne gjithmonë kemi thënë ‘duam paqe, duam qetësi. Ne nuk duam të derdhet gjak në asnjë vend. Por Izraeli po na shtyn drejt kësaj”, tha Pezeshkian.

Presidenti iranian përmendi vrasjen izraelite në Teheran të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, duke theksuar se kjo e detyroi Iranin të përgjigjej.

“Asnjë vend apo parti nuk mund ta pranojë këtë. Asnjë rajon nuk mund të lulëzojë apo të përparojë nën hijen e luftës. I bëj thirrje Perëndimit… ju lutemi tërhiqeni Izraelin, ju e vendosët Izraelin në zemër të këtij rajoni, ju gjithashtu ndani përgjegjësinë në gjakderdhje”, tha Pezeshkian.

Thellimi i bashkëpunimit me Katarin

Më tej, Pezeshkian shprehu një angazhim për të punuar me Katarin për të promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet tona me Katarin”, shtoi ai.

Bisedimet me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti iranian i përshkroi si dobiprurëse që kanë për qëllim paqen rajonale dhe interesat reciproke. Ai njoftoi se Irani dhe Katari do të zhvillojnë bashkëpunimin në tregti, energji dhe siguri.

Al Thani, nga ana e tij, gjithashtu foli për tensionet rajonale.

“Ne shohim se përshkallëzimi i tensioneve do të ketë pasoja të tmerrshme për të gjithë. De-përshkallëzimi i këtij tensioni është prioriteti ynë kryesor”, tha Al Thani, duke qëndruar përkrah presidentit iranian.

“Ne jemi pajtim të krijimit të një shteti të pavarur palestinez me Kudsin si kryeqytet. Çdo zgjidhje tjetër do të rezultojë në dështim”, shtoi ai.

Pezeshkian mbërriti në Doha më herët gjatë ditës për një vizitë dy-ditore, duke shënuar vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës në muajin qershor.

Vizita e presidentit iranian vjen disa orë pasi Irani mbrëmë lëshoi një breshëri raketash në Izrael, me Tel Avivin që vlerësoi se janë lëshuar rreth 180 raketa.

Sulmi shkaktoi viktima, dëme materiale dhe çoi në mbylljen e hapësirës ajrore të Izraelit, me miliona izraelitë që nxituan drejt strehimoreve.

Irani pretendoi se sulmet ishin në hakmarrje për vrasjet izraelite të Haniyeh-it dhe sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe për masakrat e Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës dhe Libanit.

Izraeli ka nisur sulme masive ajrore që nga 23 shtatori kundër atyre që ai i quan objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin, sulme të cilat kanë vrarë më shumë se 1 mijë viktima dhe kanë plagosur afër 3 mijë të tjerë.

Grupi i rezistencës libaneze dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.

Related posts

“Shumë vonë”- Trump refuzon ftesën për një debat tjetër presidencial me Harris

admin

Australia do të ndalojë TikTok-un në pajisjet zyrtare

rezart morina

Gjermania konfirmon dërgimin e 150 ushtarëve në KFOR

rezart morina