Presidenti i Kinës, Xi Jinping u takua sot me kryeministrin e Bangladeshit, Tarique Rahman në Pekin, transmeton Anadolu.
Rahman mbërriti në Kinë të mërkurën në një udhëtim tre-ditor, duke shënuar vizitën e tij të parë zyrtare në vend që nga marrja e detyrës në shkurt.
Xi tha se Pekini do të mbetet “mik i mirë i besueshëm, fqinj i mirë dhe partner i mirë” i Bangladeshit, duke riafirmuar angazhimin e Kinës për forcimin e lidhjeve dypalëshe, pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare, thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kinës.
Xi tha se Kina mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Bangladeshit, kundërshton ndërhyrjet e jashtme dhe është e përgatitur të thellojë komunikimin strategjik, duke vazhduar mbështetjen e ndërsjellë për çështje që përfshijnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit.
Rahman riafirmoi angazhimin e tij ndaj politikës së një Kine, duke e përshkruar Kinën si një partner strategjik të besueshëm dhe duke shprehur interes në zgjerimin e bashkëpunimit në tregti, infrastrukturë, bujqësi, shkencë, teknologji dhe shëndet publik.
Të enjten, kryeministri kinez Li Qiang e priti atë në Sallën e Madhe në Pekin, ku të dy vendet nënshkruan 13 memorandume mirëkuptimi (MM) që mbulojnë fusha të ndryshme të bashkëpunimit, tregtisë dhe investimeve.
Kina është partneri kryesor tregtar i Bangladeshit, me vëllime tregtare dypalëshe që tejkalojnë 24 miliardë dollarë ndërsa eksportet vjetore të Bangladeshit në Kinë arrijnë në 1 miliard deri në 1.16 miliardë dollarë.

