Presidenti libanez, Joseph Aoun, ka deklaruar se “aktualisht nuk ka negociata të reja me Izraelin”, duke riafirmuar kërkesën e vendit të tij për tërheqjen e Izraelit dhe kthimin e të burgosurve dhe personave të zhvendosur në zonat e tyre, transmeton Anadolu.
“Aktualisht nuk ka negociata të reja me Izraelin”, u tha Aoun gazetarëve gjatë një vizite në qytetin jugor Nabatieh, i shoqëruar nga komandanti i ushtrisë Rodolphe Haykal dhe drejtuesit e agjencive të sigurisë së Libanit.
“Tërheqja, kthimi i të burgosurve dhe personave të zhvendosur, si dhe rindërtimi janë parime kombëtare që zotohemi t’i zbatojmë”, theksoi ai, sipas komenteve të transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve NNA.
Dje, një zyrtar amerikan tha për Axios se raundi i ardhshëm i bisedimeve Izrael-Liban, i planifikuar fillimisht të zhvillohej në Romë javën e ardhshme, ishte shtyrë.
Në vend të kësaj, shtoi zyrtari, ambasadorët izraelit dhe libanez do të takohen në Departamentin e Shtetit në Washington për të diskutuar zhvillimet dhe vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes kornizë të qershorit.
Sipas zyrtarit amerikan, raundi i ardhshëm i negociatave zyrtare do të zhvillohet në Romë në tetor.
Negociatat e drejtpërdrejta mes Libanit dhe Izraelit filluan me një takim të sponsorizuar nga SHBA-ja në Washington më 14 prill.
Raundet e njëpasnjëshme trajtuan armëpushimin, tërheqjen izraelite, çështjet kufitare, si dhe të burgosurit dhe personat e zhdukur.
Më 26 qershor, Bejruti dhe Tel Avivi nënshkruan në Washington një marrëveshje kornizë të sponsorizuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori libanez dhe dislokimin e ushtrisë libaneze në zonat e liruara nga forcat izraelite.
Gjatë vizitës së tij në Nabatieh, Aoun inspektoi kompleksin qeveritar, i cili pësoi dëme të mëdha nga sulmet ajrore izraelite, si dhe ndërtesën e bankës qendrore libaneze, e cila u shkatërrua nga bombardimet.
Ai vizitoi gjithashtu Spitalin e Nabatiehut dhe vlerësoi stafin e tij për vazhdimin e punës në kushte të vështira.
Që nga 2 marsi, sipas shifrave zyrtare libaneze, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë afër 4.400 persona dhe kanë plagosur 12.500 të tjerë.
Izraeli vazhdon të mbajë nën okupim zona në jug të Libanit, përfshirë territore që i ka mbajtur prej dekadash dhe zona të tjera të marra gjatë luftërave dhe operacioneve të fundit ushtarake.

